Lajmet e fundit
Berisha ka pritur edhe kreun e PDK-së
, 15.03.2006
Kryeparlamentari Berisha në orët e pasditës ka pritur edhe një delegacion të Partisë Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga Hashim Thaçi, kryetar i partisë, me të cilin ka biseduar për bashkëpunim të ndërsjellë dhe për funksionalizimin dhe demokratizimin e legjislativit të Kosovës.
Thaçi i uron Berishës
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, duke uruar zotin Berisha për postin, ka vlerësuar gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe konsultime në interes të vendit. Thaçi ka shfaqur gatishmërinë për dinamizmin e politikës së Kosovës dhe ka uruar që Parlamenti i Kosovës të jetë vendi i diskutimeve dhe debateve, por edhe i nxjerrjes së vendimeve të rëndësishme për statusin politik të Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran.
Gatishmëri për bashkëpunim
Kryeparlamentari Berisha është shprehur se do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, se do ta mbajë fjalën e dhënë para deputetëve, ditën e zgjedhjes kryetar, dhe se pret edhe përkrahjen dhe ndihmën e partisë kryesore të opozitës.
Bashkëbiseduesit kanë shprehur interes për bashkëpunim të ndërsjellë në funksion të demokratizimit të raporteve dhe realizimit të vullnetit politik të popullit të Kosovës.