Lajmet e fundit

Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar debatoi për bisedimet e Vjenës

, 20.03.2006




Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, në mbledhjen e drejtuar nga Sabri Hamiti, anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Komisionit, ka debatuar në temën: Takimi i Vjenës: përgatitje për seancën e Kuvendit.

Paraprakisht zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Pushtetit Lokal, Lutfi Hairi, ka raportuar për takimin e parë të bisedimeve të Vjenës, të mbajtura më 20 dhe 21 shkurt dhe u është përgjigjur pyetjeve të shumta të anëtarëve të Komisionit.

Zotëri Haziri ka vlerësuar përgatitjet serioze të Grupit Negtociator dhe të delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës. Ai ka deklaruar se delegacioni i Kosovës trajtohet në mënyrë të barabartë dhe është unik në qëndrimet e shprehura për çështjet e trajtuara, të cilat kanë të bëjnë me statusin e vendit. Ai ka shpjeguar ecurinë e miratimit të dokumenteve dhe të platformës për bisedime, që dalin nga Grupi i ekspertëve (vendës dhe ndërkombëtar) dhe miratohen nga Grupi politik-strategjik dhe përfundimisht nga Grupi Negociator.

Zotëri Haziri ka folur edhe për qëndrimin e palës serbe, fillimisht për ndarjen e Kosovës, e së fundit për ndarjen territoriale të entiteteve, nëpërmjet lidhjes territoriale të komunave, me shumicë të popullsisë serbe, financimit nga Beogradi të këtyre komunave e të tjera, por i ka garantuar anëtarët e Komisionit se nuk do të ketë nivel të tretë të pushtetit politik në Kosovë.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në takimin e parë të Vjenës, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se botimi nëpër gazeta i dokumenteve konfedenciale të Grupit Negociator të Kosovës nuk është në interes të vendit. Ai madje ka pohuar se delegacioni serb e ka pasur me vete (të përkthyer serbisht) platformën e Grupit Negociator të Kosovës.

Anëtari i Kryesisë dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, Sabri Hamiti, është përqendruar në faktin që raportimi në Seancë Plenare për bisedimet e Vjenës të jetë dinjitoz dhe me disiplinë shtetërore. Ai, ndërkaq, ka konstatuar se pas ekzaltimit dhe entuziazmit të anëtarëve të delegacionit, pas takimit të parë të Vjenës, tashmë vërehet një realizëm dhe vetëpërmbajtje, deri në hezitim dhe gjithsesi një disiplinë më e madhe.

Anëtarët e Komisionit kanë shtruar pyetje dhe shqetësime për aspekte të ndryshme të bisedimeve dhe të gjithë së bashku kanë shtruar nevojën që në Seancën Plenare të 24 marsit për Bisedimet e Vjenës të raportojë kryetari ose ndonjëri nga anëtarët e Grupit Negociator.

Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar debatoi për bisedimet e Vjenës