Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti PSSP-në, Petersen
, 20.03.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen dhe ka biseduar me te për procesin politik nëpër të cilin po kalon Kosova dhe për bashkëpunimin ndërmjet kuvendit të Kosovës dhe UNMIK-ut.
Zotëri Petersen ka vlerësuar se në gjashtë javët e fundit janë bërë ndryshime fundamentale në kreun e institucioneve të Kosovës, të cilat do të reflektohen pozitivisht në procesin për përcaktimin e statusit të vendit. Ai ka shprehur bindjen e tij se Kuvendi i Kosovës do të jetë shtëpi e demokracisë, në të cilën do të dëgjohet zëri i të gjitha bashkësive etnike dhe i të gjitha forcave politike. Ai është shprehur i bindur se Kuvendi do të avancojë edhe për sa i përket miratimit të legjislacionit të nevojshëm për Kosovën.
Kryeparlamentari Berisha ka vlerësuar punën e madhe të kryeadministratorit Petersen për Kosovën, sidomos tani në fazën e bisedimeve për statusin, të cilën e ka quajtur pjesë të mirë të historisë së Kosovës.
Kreu i legjislativit të vendit e ka garantuar shefin e UNMIK-ut se Kuvendi do të jetë përherë i hapur për bashkëpunim.