Lajmet e fundit

Bordi i Grupit jo Formal të Deputeteve të Kuvendit të Kosovës u takua me z. Soren Josen Petersen

, 20.03.2006




Sot, Bordi i Grupit jo Formal të Deputeteve të Kuvendit të Kosovës i cili përbëhet nga deputetet nga të gjitha partitë që participojnë në Kuvendin e Kosovës, kryesuar nga bashkëkryesueset, znj. Flora Brovina dhe znj. Samie Zeqiraj, pati një takim me karakter informues me z. Petersen.

Bordi e informoi z. Petersen me punën e deritashme të Grupit, si dhe strategjinë e veprimit për të ardhmen.

Në këtë takim u theksua se motivi dhe arsyeja e formimit të këtij Grupit është fuqizimi i gruas në politikë dhe vendimmarrje, si dhe monitorimi i zbatimit të ligjeve për Barazinë Gjinore, të Drejtat e njeriut si dhe të gjitha ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me barazi gjinor. Më pas u tha se gruaja nuk është e përfaqësuar kënaqshëm në nivelin qendror dhe atë lokal dhe në bazë të aftësive të saja si dhe të shkollimit që ka. Në, Qeveri, ministri e drejtorate ajo as simbolikisht nuk përfaqësohet e të mos flasim për Kuvendin, ku në Kryesinë e tij nuk ka as një grua, e as ne nivelin e komunave edhe në pozitat vendimmarrëse në institucionet shkencore arsimore, kulturore etj., nuk është situate më e mirë.

Me gjithë kontributin që dha gruaja gjatë periudhës së gjatë të okupimit, si dhe gjatë luftës, e veçmas sot, kur po kontribuojmë në ngritjen e institucioneve demokratike, asnjë herë nuk menduam se do të vijë koha kur ne mund të margjinalizohemi në këtë mënyrë.

Bordi gjeti mbështetje te z. Petersen për nevojën e avansimit e pozitës së gruas në ndërtimin e shoqërisë demokratike të Kosovës dhe të realizimit të standardeve, në veçanti të Rezolutës 1325 pa të cilat nuk mund të paramendohet asnjë shoqëri demokratike, gjithashtu u përkrah ideja që të bëhet çmos që edhe gruaja të jetë me e pranishme në jetën politike dhe shoqërore, pse jo edhe pjesë e grupeve punuese, Grupit politik dhe Grupit për statusin e Kosovës.