Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti anëtarin e Bundestagut Gjerman, Walter Kolbow
, 22.03.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot anëtarin e Bundestagut Gjerman dhe kryesues i Fraksionit të SPD, Walter Kolbow, i cili shoqërohej nga shefi Zyrës Gjermane në Prishtinë, Eugen Wollfarth, nga kryesuesi i Fondacionit “Fridrich Ebert” dhe Martin Weiss, bashkëpunëtor i fraksionit SPD.
Është biseduar procesin nëpër të cilin po kalon Kosova, për bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, e në mënyrë të veçantë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut Gjerman.
Kryeparlamentari Berisha ka falënderuar Qeverinë dhe popullin gjerman për ndihmën që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës dhe popullit të saj. Ai ka njoftuar parlamentarin gjerman me sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ka kërkuar që të vazhdojë ndihma Bundestagut dhe e institucioneve të tjera gjermane për Kosovën, sidomos në këtë fazë të përcaktimit të statusit të vendit.
Anëtari i Bundestagut Gjerman dhe kryesues i Fraksionit të SPD, Walter Kolbow ka theksuar lidhjet e vendit të tij me Kosovën dhe ka përkujtuar se Gjermania është bërë atdhe i dytë i shumë kosovarëve të përndjekur nga regjimet e mëparshme. Ai ka thënë se Bundestagu Gjerman do të vazhdojë ta mbështesë Kuvendin e Kosovës kurse bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojë qoftë nëpërmjet të Paktit të Stabilitetit, qoftë nëpërmjet të fondacioneve gjermane që shtrijnë aktivitetet e tyre në Kosovë.
Kolbow i ka vlerësuar tepër të rëndësishme bisedimet e Vjenës për statusin dhe ka thënë se sa më shumë të plotësohen kushtet për jetë të lirë të minoriteteve në Kosovë dhe sa më parë që serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, do të rritet shansi për përmbushjen e vullnetit politik të popullit të Kosovës.
Parlamentari gjerman i ka përcjellë zotit Berisha ftesën e për ta vizituar Gjermaninë, kurse kreu i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që Gjermania ta bëjë për Kosovën atë që e ka bërë për Kroacinë – t’ia njohë e para pavarësinë.