Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha ka pritur ushtruesin e Ombudspersonit
, 23.03.2006
Si të mbrohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës dhe ç’funksion do të ketë Ombudspersoni në të ardhmen, ka qenë temë bisede në takimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha me ushtruesin e detyrës së Ombudspersonit, Hilmi Jashari.
Kompetenca të plota për Avokatin e Popullit
Zotëri Jashari ka kërkuar nga kreu i Kuvendit që Ombudspersoni në të ardhmen të jetë Avokat i Popullit dhe të ketë kompetenca të plota në ushtrimin e këtij funksioni me rëndësi shoqërore, sikurse ndodhë në shumë vende demokratike të botës. Ai ka pohuar, ndërkaq, se me Rregulloren e UNMIK-ut, të 17 shkurtit 2006, janë cunguar ndjeshëm kompetencat e Ombudspersonit.
Avokati - mekanizëm i Kuvendit
Kryeparlamentari Berisha ka qartësuar se Avokati i Popullit do të jetë mekanizëm i Kuvendit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarit. Kreu i Kuvendit ka thënë se do të kujdeset të miratohet Ligji për Avokatin e Popullit dhe të zbatohet në mënyrën më të mirë.