Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Wim Peeters

, 23.03.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, në takim me shefin e Zyrës Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Wim Peeters, ka biseduar për bashkëpunimin e dy vendeve, të cilat kanë shumë ngjashmëri ndërmjet veti dhe për mundësitë e përparimit të përshpejtuar të Kosovës, sipas modelit belg.

Vullnet i palëkundur për pavarësinë e vendit

Kryeparlamentari Berisha ka ritheksuar vullnetin e palëkundur të popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit dhe për integrime evropiane. Ai ndërkaq ka pohuar se edhe minoritetet, pos atij serb, kanë të njëjtën aspiratë.

Serbët do të jetojnë të barabartë në Kosovë

Kreu i legjislativit të vendit ka thënë se një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht do të ishte më atraktive edhe për minoritetin serb. Serbët do të jetojnë të barabartë në Kosovë, por Kosova nuk dëshiron që të jetë bashkë me Serbinë, ka qenë i prerë Berisha. Ai ka lënë mundësinë që në të ardhmen, sikurse edhe vende të tjera, historikisht të hasmuara të Unionit Evropian edhe Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë si fqinjë të mirë dhe si anëtarë të barabartë të UE-së.

Kosova do ta zgjidh me sukses statusin

Shefi i Zyrës Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Wim Peeters, ka theksuar se në Belgjikë jetojnë minoritete të ndryshme, por kamja ka bërë që të tejkalohen mosdurimet nacionale. Ai ka shprehur besimin se Kosova do ta zgjidh me sukses statusin e saj dhe do ta hapë rrugën e përparimit gjithëpërfshirës të vendit. Në këtë vështrim Belgjika mund tua përcjell përvojat dhe ndihmën e saj, ka thënë Peeters.

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Wim Peeters