Lajmet e fundit

U mbajt një konferencë nacionale me temë lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë

, 23.03.2006




Bordi i Grave Parlamentare të Kosovës organizoi sot një konferencë nacionale me temë: si jemi organizuar të luftojmë trafikimin e qenieve njerëzore në Kosovë, në të cilën merrnin pjesë edhe përfaqësues nga subjekte të ndryshme ndërkombëtare dhe të vendit, të cilët në fushëveprimin e tyre merren me trajtimin dhe luftimin e kësaj dukurie. Vëmendja e pjesëmarrëseve u përqendrua në shkaqet që sjellin këtë dukuri , duke vënë në pah se trafikimi vjen si rrjedhojë e tranzicionit që kalon Kosova,papunësisë së madhe,varfërisë , lëvizjes së popullsisë,çrregullimeve familjare, pa perspektivës, konfliktit të gjeneratave etj. Në këtë vështrim u theksua se Kosova nga një vend transit i trafikimit të qenieve njerëzore, si ishte para lufte, tani është bërë vend destinomi i trafikimit. Pre të individëve dhe grupeve kriminale janë femrat, sidomos nga Bullgaria, Moldavia, Rumania, Shqipëria, Serbia e Mali i Zi etj. Brengos fakti se në Kosovë trafikohen femra madje edhe nën moshën 18 vjeçare. Të gjitha këto shtrojnë domosdoshmërinë e një vetëdijesimi më të gjerë shoqëror në të gjitha segmentet për luftimin e kësaj dukurie, pa harruar asnjëherë se trafikimi i qenieve njerëzore nuk është çështje vetëm e një vendi, por e gjithë bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova tashmë ka Planin e veprimit për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore të hartuar nga ana e Qeverisë së Kosovës, që tashmë ka filluar të sendërtohet, të cilit iu dha mbështetje edhe në këtë konferencë. Ky plan është mbështetur në konventat ndërkombëtare të luftimit të trafikimit, madje si ishte konstatuar me rastin e një vizite të një delegacioni të këtij Bordi në Zvicër, ai ishte shumë i ngjashëm me dokumentin përkatës të këtij vendi. Bordi i Grave Parlamentare të Kosovës planifikon të organizojë edhe një konferencë rajonale mbi këtë temë

U mbajt një konferencë nacionale me temë lufta kundër   trafikimit të  qenieve njerëzore  në Kosovë