Lajmet e fundit
Berisha priti ambasadorin e Italisë në Beograd, Merola
, 24.03.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot ambasadorin e Italisë në Beograd, Alesandro Merola, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës Italiane në Prishtinë, Patric Mura dhe ka biseduar me te për procesin negociator për përcaktimin e statusit të Kosovës, për të drejtat e minoriteteve, sidomos të atij serb dhe për ruajtjen e begatisë kulturore të tyre.
Vullneti i popullit të Kosovës për pavarësi dhe integritet territorial
Kryeparlamentari Berisha, duke e falënderuar Italianë për ndihmën që ia ka dhënë dhe vazhdon t’ia japë Kosovës, e ka bërë të qartë vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi dhe integritet të plotë territorial të Kosovës, me të gjitha garancat për zhvillim të papenguar të qytetarëve serbë në Kosovë. Jemi duke u angazhuar dhe jemi shumë të interesuar që të gjithë deputetët serbë të kthehen në Kuvendin e Kosovës dhe nga këtu të bëjnë luftë politike për përmbushjen e interesave të qytetarëve që i përfaqësojnë, ka thënë Berisha.
Arsimimi në gjuhën serbe
Ai i ka pohuar diplomatin italian serbët e Kosovës do të gëzojnë të gjitha të drejta e tyre, duke filluar nga arsimimi në gjuhën e tyre, në të gjitha nivelet, përfaqësimi në institucionet e Kosovës, në përqindje më të lartë se sa në përbërjen e popullsisë së Kosovës dhe ka shtuar se diskriminimi pozitiv i serbëve do të vlejë edhe në komunat e reja të Kosovës.
Pa enklava dhe korridore etnike
Kreu i Kuvendit, ndërkaq, ka vlerësuar se bisedimet e Vjenës do t’i bëjnë fare të panevojshme enklavat dhe korridoret etnike. Ai është shprehur i bindur se pas pavarësimit të vendit, serbët e Kosovës do të jetojnë më mirë se qytetarët e Serbisë.
Për decentralizimin, pronën, monomentet
Ambasadori i Italisë në Beograd, Alesandro Merola, është interesuar të dijë sidomos për çështjen e decentralizimit, të pronës dhe të ruajtjes së monumenteve religjioze dhe të kulturës.
Kushtetuta nuk do të jejojë mundësi të mbivotimit
Kryeparlamentari Berisha e ka garantuar diplomatin italian se gjatë miratimit të Kushtetutës së re të Kosovës do të kihet kujdes që të mos lihet mundësi të mbivotimit, kur kemi të bëjmë me çështje të minoriteteve, sidomos të atij serb.