Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj

, 27.03.2006




Kryetari i Kuvendit t Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ahmet Isufi.

Në takim është biseduar për funksionalizimin e mëtejmë të Kuvendit të Kosovës dhe për aktivitetet e kryeparlamentarit Berisha në krye të legjislativit dhe në Grupin negociator për përcaktimin e statusit të vendit.

Kryeparlamentari Berisha ka shprehur sidomos nevojën për përshpejtimin e aktiviteteve për hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve dhe përgjithësisht për racionalizimin e punëve të përditshme në Kuvendin e Kosovës. Berisha ka premtuar më shumë hapësirë dhe kushte më të mira për punë të deputetëve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur vullnetin e partisë së tij, anëtare e koalicionit qeverisës, për të ngritur efikasitetin e Parlamentit dhe demokratizimin e vendit.

Duke u ndërlidhur me rolin e Parlamentit në proceset, të cilat po zhvillohen në Kosovë rreth statusit, Haradinaj ka shprehur qëndrimin se të gjitha çështjet me rëndësi për vendin duhet ta marrin edhe mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj