Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti shefat e zyrave të Francës dhe të Bullgarisë
, 27.03.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot në takime të veçanta shefin e Zyrës së Francës në Kosovë, Thierry Reynard dhe shefin e Zyrës së Bullgarisë në Kosovë, Nikolay Kolev, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Kosovës dhe punën e Kuvendit për miratimin e legjislacionit të vendit. Ai në këtë kuadër ka theksuar nevojën e përmirësimit të kushteve për deputetë.
Berisha edhe një herë ka theksuar domosdoshmërinë e kthimit të deputetëve serbë në punën e Kuvendit, duke shtuar se Parlamenti u takon të gjithëve dhe se nga këtu mund të bëhet puna më e madhe për realizimin e interesave të qytetarëve serbë.
Shefi i Zyrës së Francës në Kosovë, Thierry Reynard, ka vlerësuar shumë kujdesin e kryeparlamentarit Berisha për punën e deputetëve, sidomos të komisioneve parlamentare dhe e ka përshëndetur qasjen e re që ka filluar të zbatohet në Kuvendin e Kosovës. Atij i kishte pëlqyer sidomos debati i lirë parlamentar në dy seancat e shkuara plenare. Reynard, ndërkaq, ka pohuar se reformat, të cilat po ndërmerren në Kuvendin e Kosovës, do të jenë edhe më të nevojshme pas përcaktimit të statusit të vendit. Në këtë vështrim, diplomati francez ka vlerësuar se do të jetë e mirëseardhur vizita e kryeparlamentarit Berisha dhe e anëtarëve të Kryesisë në Asamblenë Nacionale të Francës.
Në takim me shefin e Zyrës së Bullgarisë në Kosovë, Nikolay Kolev, është trajtuar çështja e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe paqja e stabiliteti i rajonit.
Kosova është e orientuar për fqinjësi të mirë dhe stabilitet në rajon, ka thënë Berisha, kurse të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se nevojitet stabiliteti i gjithsecilit vend ballkanik për të realizuar interesin e përbashkët për paqe dhe stabilitet të të gjithë rajonit.