Lajmet e fundit

Miratohet rendi i ditës për Seancën e 6 prillit

, 30.03.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar, ka vendosur që seancën plenare ta mbajë me 6 prill dhe e ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për inspektoratin e produkteve të ndërtimit, ai për Institucionet e kulturës dhe ai për Mbrojtjen kundër zjarrit.

Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligjit për kodin e mirësjelljes së nëpunësve civil dhe Projektligji për ndërprerjen e shtatzënisë.

Po në këtë seancë do të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për emërimin e z. Sabri Hamiti anëtar në Komisionin ad hoc për media, në vend të anëtarit të deritashëm, z. Fatmir Sejdiu.

Lidhur me propozimin e Grupit Parlamentar të kësaj partie për seancë plenare lidhur me përgatitjet për përballimin e gripit të shpezëve është vendosur që të kërkohet nga ministri i Shëndetësisë, Sadik Idriz dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Tomë Hajdaraj që të përgatisin raportin, i cili do të shërbente si bazë për debat të deputetëve në këtë temë, në seancën vijuese me 13 prill.

Kryesia ka vendosur ta kalojë në procedurë të rregullt parlamentare kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për interpelancë të ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti.

Sa i përket kërkesës së deputetit Sabit Rrahmani, që 15 shkurti të shpallet festë kombëtare për komunitetin hashkalinj, Kryesia e Kuvendit ka vlerësuar se nuk është kompetente për çështjen dhe kërkesën ia ka adresuar PSSP-së.

Kryeparlamentari Berisha i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë se para dy ditësh ka filluar auditimi i jashtëm për shpenzimet buxhetore të Kuvendit për vitin 2005 dhe se çështja i është besuar një firme të huaj, me renome ndërkombëtare (Deloitte Touche).

Kryeparlamentari Berisha ka njoftuar se e ka në dorë gjithë dokumentacionin për blerjen e një veture të shtrenjtë nga Kuvendi, por është zotuar se nuk do ta përdorë veturën e kontraktuar nga paraardhësi i tij.

Kryesia ka shqyrtuar kërkesën e ripërsëritur të ish - kreut të Kuvendit për benefite deri në përfundim të kësaj legjislature, por nuk ka gjetur bazë ligjore për kërkesat e Dacit.

Në këtë mbledhje të Kryesisë është prekur edhe fati i Qendrës Protokollare-Administrative në Gërmi, por është lënë që pasi të grumbullohen faktet, çështja të shtrohet në ndonjërën nga seancat e radhës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të rishpallë konkurs për sekretar të Kuvendit, pasi që ka konstatuar se konkursi i shpallur më herët dhe i mbyllur më tre mars, ka qenë në kundërshtim me Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës të punonjësve të Administratës së Kuvendit.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në krye me kryeparlamentarin Berisha, do të realizojnë, në fillim të prillit, një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Miratohet rendi i ditës për Seancën e 6 prillit