Lajmet e fundit
Debat në Komisionin Parlamentar për Gatishmëri dhe Emergjencë
, 04.04.2006
Projektligji për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe nga fatkeqësitë e tjera, i cili tashmë është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës,është e nevojshme t’ i nënshtrohet një shqyrtimi e amendamentimi të mirëfilltë të një mori nenesh, që të jetë në pajtim me legjislacionin e BE-së, që ka të bëjë me ketë fushë. Në këtë Projektligj bien në sy edhe formulime jo të qarta, pastaj përzierje kompetencash etj.
Këto ishin disa nga konstatimet më thelbësore të debatit lidhur me Projektligjin për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe nga fatkeqësitë e tjera, të mbajtur sot nga Komisioni për Gatishmëri dhe Emergjencë i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit. Përpjekjet e pjesëmarrësve u orientuan në vërejtje e sugjerime , të cilat synonin identifikimin e neneve që kërkojnë shqyrtim e përcaktim më të saktë. Nismë për këtë debat ishte teksti i Zyrës së proceseve të integrimit evropian, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministri,përkitazi me pajtueshmërinë e këtij Projektligji me legjislacionin e BE-së, mirëpo përfaqësuesit e kësaj Zyre nuk kishin ardhur në këtë mbledhje,ata kishin dërguar vetëm shkresën e përmendur. Anëtarët e Komisionit u pajtuan që shqyrtimi e amendamentimi i këtij Projektligji të vazhdojë në bashkëveprim, si me Zyrën e Kryeministrit, ashtu edhe me Ministrinë për Ekonomi dhe Financa , për të gjetur zgjidhje sa më adekuate dhe njëherësh të shohin edhe koston financiare, me rastin e zbatimit të këtij Ligji të ardhshëm.