Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti komisionerin e policisë, Kai Vitrup
, 04.04.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot komisionerin e policisë, Kai Vitrup, i cili shoqërohej nga kryesues të departamenteve të Shërbimit Policor të Kosovës dhe ka biseduar me të për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe për punën e SHPK-së për siguri sa më të madhe të qytetarëve dhe të institucioneve.
Shërbimi Policor i Kosovës ka treguar profesionalizëm dhe rezultate shumë të mira, që nga themelimi, ka thënë Berisha, i cili ka theksuar se policët tanë po e kryejnë punë shumë tumirë, në kushte jo shumë normale dhe në rrethana të vështira. Ai ka shprehur shpresën se punonjësit e SHPK-së do të jenë në krye të detyrës edhe në këtë fazë të negociatave për përcaktimin e statusit të Kosovës.
Komisioneri i policisë, Kai Vitrup, duke e përgëzuar zotëri Berishën për detyrën e kryeparlamentarit të vendit, në këto momente tepër të rëndësishme për Kosovën, ka premtuar se Shërbimi Policor i Kosovës do të jetë në funksion të mbrojtjes së rendit dhe ligjit, si dhe garant i sigurisë për qytetarët dhe institucionet. Ai ndërkaq ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen që ka marrë nga kreu u Kuvendit të Kosovës për punë të mëtejme dhe ngritje cilësore të SHPK-së.