Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti ambasadorin kanadez në Beograd, Robert Mcdougall
, 04.04.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot ambasadorin e Kanadasë në Beograd, Robert Mcdougall, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, tash dhe pas statusit, me theks të veçantë për të drejtat dhe liritë e minoriteteve.
Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran, i të gjithë qytetarëve të saj e jo i shumicës apo i pakicës, ka thënë Berisha, i cili ka theksuar se qëndrimi i Grupit negociator të Kosovës është shumë afër të qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare për statusin e vendit. Berisha ka pohuar vendosmërinë për marrëdhënie të mira me vendet e rajonit dhe ato evropiane, si dhe në miqësi me SHBA-të. Ai ka theksuar se në Kosovë po punohet me të madhe për përmbushjen e standardeve dhe se përcaktimi i statusit do të reflektohet shumë pozitivisht edhe për sa u përket investimeve në lëmin e ekonomisë.
Diplomati kanadez, Mcdougall, ka theksuar rëndësinë që ka realizimi i të drejtave të qytetarëve, sidomos i minoriteteve për funksionimin demokratik të vendit, kurse të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se zhvillimet në Kosovë janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe të Evropës.