Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës
, 04.04.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u taku sot me një delegacion të Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, të kryesuar nga Fatmir Fehmiu, kryetar, i shoqëruar edhe nga Riza Shala, Mustafë Rëzniqi dhe Sylë Metaj. Ky delegacion e informoi kryeparlamentarin për pozitën e rëndë, në të cilën gjendën pensionistët dhe invalidët e Kosovës. Me këtë rast ata kërkuan realizimin e rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës lidhur me përmirësimin e pozitës së kësaj kategorie të qytetarëve.
Kryeparlamentari Berisha premtoi se Kuvendi do të bëjë gjithçka që është e mundur në kuadër të kompetencave të tij, që kjo gjendje e rëndë me të cilën po ballafaqohen pensionistët të përmirësohet. Në angazhimet për përmirësimin e kësaj pozite Kuvendi i Kosovës do të bashkëveprojë me Qeverinë e Kosovës dhe me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me një synim të përbashkët e të koordinuar për zgjidhjen e problemeve të pensionistëve dhe invalidëve. Kryeparlamentari theksoi se pensionistët gjithnjë do t’i kenë dyert e hapura për bashkëpunim në përpjekjet e tyre për kapërcimin e këtyre problemeve.