Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Finanaca

, 05.04.2006




Komisioni për Buxhet dhe Finanaca i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me nevojën e amendamentimit të Ligjit mbi Prokurimin Publik në Kosovë (2003/17). Në këtë dëgjim merrnin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës Ligjore të Kryeministrit, USAID-it, Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Agjensionit për Prokurim Publik etj. Një nismë e këtillë ishte ndërmarrë pas një vizite të këtij Komisioni në disa komuna të Kosovës, për të parë se me çfarë vështirësish ballafaqohen agjensitë kontraktuese me rastin e zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë, të shikuara këto edhe në dritën e një Raporti të auditimit që ishte bërë në këto agjensi. Ishte vërejtur se ka disa nene të këtij ligji të cilat sjellin pengesa gjatë zbatimit në praktikë, sidomos kur është fjala për procedurat kohore në tenderim, por edhe në segmente të tjera. Duke pasur parasysh të gjitha këto, u pa e arsyeshme që të organizohej një debat publik për të parë nëse është e arsyeshme amendamentimi i këtij ligji.

Gjatë debatit u tha se ky ligj është mjaft i ndërlikuar , ashtu si edhe në gjithë botën, si kur është fjala për zgjidhjet që ofron, ashtu edhe për zbatimin e tij. Në këtë frymë shihej e arsyeshme të bëhet amendamentimi i tij, në mënyrë që ai të jetë mundësisht sa më i thjeshtë, gjithë kjo në funksion të konkurrencës së mirëfilltë, kursimit ta parasë publike dhe të vënies së rregullave sa më të avancuara në pajtim me zgjidhjet më të mira që në këtë lëmë zbatohen në BE.

Në mbështetje të vrojtimeve e analizave të ekspertëve dhe disa institucioneve që veprojnë në Kosovë, tashmë një grup punues nga Qeveria e Kosovës kishte bërë një draft të ndryshimit të këtij Ligji. Pritet që Qeveria së shpejti edhe do të miratojë këtë draft, të cilin pastaj do t’ ia dërgojë Kuvendit të Kosovës për procedurë të mëtejme të shqyrtimit dhe të miratimit. U theksua se në këtë aktivitet do të bashkëveprojë gjerësisht edhe Komisioni për Buxhet dhe Financa për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve sa më të mira në ndryshimet që do të pësojë ky Ligj.

Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar  për Buxhet dhe Finanaca