Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti Lordin Russell-Jonston

, 05.04.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot Lordin Rusell-Johnston, ish president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe aktualisht raportues i Komitetit për Çështje Politike të kësaj Asambleje, i cili shoqërohej nga Zurab Katchatchshvili, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Lordi Rusell-Johnston, i cili është duke e përgatitur raportin e dytë për çështjen e Kosovës, është interesuar për zhvillimet në Kosovë dhe për ecurinë e negociatave për statusin e Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha e ka njoftuar për progresin e bërë në Kosovë, për vështirësitë me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe institucionet e Kosovës, por edhe për synimet në të ardhmen. Berisha ka thënë se Kosova po i bën hapat e parë të demokracisë dhe të jetës parlamentare dhe se në këtë rrafsh ka se çka të mësojë nga demokracia e vendeve evropiane. Ai ka folur për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, për vendet e rezervuara për përfaqësuesit e minoriteteve dhe për përfaqësimin institucional të tyre në kuotë më të lartë se sa pjesëmarrja e tyre në përbërjen e popullsisë së Kosovës.
Kreu i legjislativit të vendit, ndërkaq, është shprehur i bindur se Kushtetuta e re e Kosovës, në mënyrën më të mirë do t’i mbrojë minoritetet nga mbivotimi dhe do të garantojë liritë dhe të drejtat e tyre.

Lordi Rusell-Johnston duke u ndërlidh me vështirësitë me të cilat po ballafaqohet Kosova, por edhe procesi negociator për përcaktimin e statusit të vendit, është shprehur se me gjithë qëndrimin e Grupit të Kontaktit për pavarësinë, si zgjidhja më e mirë për Kosovën, ai mendon se pavarësia nuk është pika e fundit. Nga këndvështrimi i Këshillit të Evropës, gjërat më të rëndësishme janë sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, ka theksuar Jonston. Ai i ka kushtua vëmendje edhe mundësive të përparimit ekonomik të Kosovës, si kusht për stabilitet të rajonit.

Në interesimin e tij për gjasat e kthimit të refugjatëve kosovarë nga vendet e perëndimit, kryeparlamentari Berisha është përgjigjur se pikërisht prapambeturia ekonomike e Kosovës pamundëson kthimin e suksesshëm të qytetarëve tanë në këtë fazë. Ai ka apeluar tek vendet perëndimore që derisa të krijohen rrethana më të mira ekonomike, të mos ndërmerret kthim i detyrueshëm i qytetarëve tanë nga këto vende.

Kryeparlamentari Berisha priti Lordin Russell-Jonston