Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion tetë anëtarësh të Sindikatës së Minierave të Stan Tërgut

, 05.04.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot një delegacion tetë anëtarësh të Sindikatës së Minierave të Stan Tërgut, të kryesuar nga Hasan Potoku, kryetar, sindikatë kjo që në gjirin e vet ka rreth 600 minatorë. Duke rrëfyer për pozitën shumë të rëndë të minatorëve dhe të kompleksit “Trepça”, delegacioni ishte i një fjale se “Trepça” asnjëherë në historinë e saj nuk ka qenë në gjendje kaq të keqe. Fajin për këtë gjendje të rëndë të këtij kolektivi me emër në Kosovë, ata ia hodhën fajin stafit menaxherial, i cili nuk është i interesuar ta çojë përpara “Trepçën”. Minatorët vazhdimisht shtronin shqetësimin se nga po shkon “Trepça”. Ata posaçërisht i brengoste çështja e privatizimit të këtij kolektivi të madh. Për këtë, ata kishin qëndrim të prerë se kurrsesi nuk duhet të privatizohet “Trepça” para se Kosova të marrë përgjegjësit e plota.

Në këto përpjekje për të mbijetuar minatorët e shihnin veten të lënë pas dore nga ana e institucioneve të Kosovës, të cilat si theksonin ata, vetëm premtojnë e nuk ndërmarrin asgjë për të ndihmuar minatorët dhe këtë kolektiv me rëndësi të madhe për Kosovën, që të tejkalojë këtë krizë në të cilën gjendet. Mirëpo, kjo krizë nuk mund të tejkalohet me këtë staf menaxherial, ndaj ata kërkojnë që ky staf të ndërrohet.

Në pozitën e palakmueshme të minatorëve do të reflektohet edhe paralajmërimi se pensionistëve të “Trepçës” do t’iu hiqen edhe nga 10 euro nga pensionet prej 50 eurosh sa marrin deri tash.

Kryeparlamentari Berisha tha se ndjen nga afër të gjitha këto halle e shqetësime të minatorëve. Ai u shpreh se në kuadër të kompetencave që ka Kuvendi do të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e problemeve të këtij kompleksi.

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion tetë anëtarësh të Sindikatës së Minierave të Stan Tërgut