Lajmet e fundit
Dëgjim publik në Komisionin për Ekonomi lidhur me Projektligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor
, 10.04.2006
Projektligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, i cili tashmë është miratuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës, është i një rëndësie të veçantë.Ai ka peshë të madhe në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacion, si dhe në zhvillimin e tij. Ky projekt synon një kornizë adekuate ligjore në funksion të zhvillimit të komunikacionit rrugor, në pajtim me standardet e Unionit Evropian, mirëpo për të qenë i tillë ai duhet të plotësohet edhe më, me zgjidhje sa më të mira e sa më precize në këtë fushë. Këto ishin disa nga konstatimet e dëgjimit publik të organizuar nga ana e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Ibush Jonuzi, kryetar i Komisionit, lidhur me Projektligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor. Në këtë mbledhje merrnin pjesë edhe Fatmir Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit.
Në debatin shumë të gjerë e përmbajtësor u tha se ky Projektligj është e nevojshme t’ i nënshtrohet një shqyrtimi të ngulmët, për të evituar çdo paqartësi.Në këtë vështrim duhet të mënjanohen disa pasaktësi në aspektin e terminologjisë, e cila nuk është sa duhet në pajtim me normat gjuhësore, ndërsa ndonjëherë nuk është e harmonizuar në tekstin e ligjit mjaft voluminoz.Vërehen edhe disa përzierje kompetencash ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, të cilat duhet të evitohen. Ndër vërejtjet tjera ishin edhe ato që kishin të bëjnë me disa kundërshti që hasen ndërmjet disa neneve të këtij Projektligji me Ligjin aktual për Kundërvajtje të Kosovës, që do të reflektoheshin negativisht me rastin e zbatimit të këtij ligji të ardhshëm. Po kështu edhe shkalla e dënimeve nuk është e përcaktuar mirë sipas rrezikshmërisë në komunikacion, madje niveli i tyre është mjaft i lartë për standardin kosovar.