Lajmet e fundit

Nga vizita e kuvendarëve të Kosovës në Shqipëri

, 10.04.2006




Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Ramë Buja, Naim Maloku dhe Gazmend Muhaxheri, të shoqëruar nga shefi i Misionit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Bujar Muharremi, nga shtatë deri më nëntë prill 2006, kanë realizuar një vizitë të suksesshme në Shqipëri, me ftesë të kryeparlamentares Topalli.

Në takimin e parë të delegacionit parlamentar të Kosovës me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë znj. Jozenina Topalli, që u zhvillua në një atmosferë të ngrohët miqësore, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha, e njoftoi atë për zhvillimet fundin politike në Kosovë, për aktivitetin e Kuvendit të Kosovës në fushën legjislative, si dhe për bisedimet në Vjenë lidhur me zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

Qëndrim i përbashkët i subjekteve për Kosovën e Pavarur

Bisedimet e deritanishme në Vjenë kanë qenë të suksesshme për palën tonë, ngase kemi pasur iniciativë dhe oferta konkrete për temat që janë diskutuar, ka vlerësuar Berisha, kurse sa i përket statusit politik të Kosovës, ka sqaruar se ë gjitha forcat politike në Kuvend, të pozitës dhe të opozitës, kanë një qëndrim të përbashkët: Kosova e Pavarur – shtet demokratik, ku të gjithë qytetarët e saj do t’i gëzonin të drejtat dhe liritë e barabarta.

Ai ka pohuar tutje se decentralizimi dhe çështjet e tjera që do të bisedohen në Vjenë, do të zgjidhen (në pako) pas statusit të Kosovës, dhe do të sanksionohen me Kushtetutë dhe me ligje të tjera përcjellëse.

Topalli: do ta mbështesë Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj, Jozefina Toppali, është shprehur qartë se Shqipëria, si në të kaluarën edhe në procesin e zgjidhjes së statusit politik, do ta mbështesë Kosovën, për ta fituar pavarësinë e saj të merituar.

Në takimin me kryeministrin Sali Berisha, delegacioni parlamentar i Kosovës u njoftua me masat që po ndërmerrte Qeveria shqiptare për zgjidhjen e problemeve të brendshme të vendit.

Bashkëpunim në të gjitha fushat e jetës

Kryeministri Berisha është shprehur optimist se përpjekjet e kosovarëve, të gjata dhe të mundimshme, në këtë vit, do të kurorëzohen e pavarësinë e Kosovës. Ai ka kërkuar të intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në të gjitha fushat e jetës, sidomos në fushën e arsimit, kulturës, tregtisë dhe turizmit.

Priotitet rrugës Durrës-Morinë

Ndër prioritet e Qeverisë shqiptare gjatë këtij mandati, z. Berisha ka përmendur ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë. Qeveria shqiptare është në bisedime me Bankën Botërore për sigurimin e mjeteve për ndërtimin e kësaj rruge, ndërkohë që është në përgatitje e sipër Projektligjit, i cili parasheh orientimin në këtë projekt të 15-20% të investimeve publike.

Qeveria shqiptare është shumë e interesuar për këtë rrugë, e cila mundëson zhvillimin e gjysmës së vendit (pjesën veriore), e cila një kohë të gjatë është lënë pas dore, por edhe bashkëpunimin e Shqipërisë me Kosovës dhe rajonin.

Në fund të takimit z. Berisha ka theksuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Shqipërisë, që nëpërmjet procesit negociues, të realizojë vullnetin politik për një Kosovë të Pavarur.

Diplomacisa shqiptare në mbështje të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës

Delegacioni i Kosovës pati takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Besnik Mustafaj, nga i cili u informuan për aktivitet e diplomacisë shqiptare për ta mbështetur zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, në përputhje me vullnetin politik të qytetarëve të saj.

Ministri Mustafai i informoi, në hollësi, anëtarët e Kryesisë për aktivitetin e tij dhe të diplomacisë shqiptare me përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës, për ta fituar mbështetjen e tyre në zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës. Në të gjitha takimet, me një përjashtim, janë shprehur qëndrime afirmative për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka pohuar Mustafaj.

Aktive, por jo aktore

Diplomacia shqiptare do të vazhdoj të jetë aktive, por jo aktor, në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Po i shpjegojmë komunitetit ndërkombëtar se pavarësia e Kosovës do të prodhojë stabilitet dhe siguri në rajon, ka deklaruar, ndër të tjera Ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Takime me përfaqësues të partive opozitare

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri delegacioni parlamentar i Kosovës është takuar edhe me përfaqësuesit e partive opozitare: Petro Koçi, Skender Gjinushi, Sabit Brokaj dhe Pirro Lutaj, me të cilët ka këmbyer mendime dhe përvoja parlamentare. Përfaqësuesit e partive opozitare deklaruan se të gjitha partitë politike në Kuvendin e Shqipërisë kanë qëndrim të përbashkët – në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.

Të mos ngritin tema që krijojnë tensione

Anëtarët e Kryesisë kërkuan nga partitë politike të Kuvendit të Shqipërisë, që në kohën kur po diskutohet për statusin e Kosovës, të mos ngritin temat që krijojnë tensione, ngase ato mund të kenë ndikime negative gjatë procesit negociues për status të Kosovës.

Pritje në Bashkinë e Durrësit

Ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, Kryesia e Kuvendit është pritur edhe në Bashkinë e Durrësi, me ç’rast nga kreu i Bashkisë është njoftua për zhvillimin e këtij qyteti, përgatitjet për sezoni turistik, si dhe për kërkesat e kosovarëve, të cilët pushimet verore planifikojnë t’i kalojnë në Durrës.

Me deputetët e zonës

Pas përfundimit të vizitave zyrtare, delegacioni Kuvendit të Kosovës ka vizituar Muzeun e Durrësit, si dhe ka pasur një drekë pune me deputetët e zonës së Durrësit dhe të Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në fund të vizitës, delegacioni i Kosovës ka falënderuar parlamentarët dhe qeveritarët shqiptarë për pritjen vëllazërore dhe për mbështetjen që po i japin Kosovës për zgjidhjen e statusit politik, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj.

Me nderimet më larta ceremoniale

Delegacioni i Kosovës është pritur dhe përcjellë me nderimet më larta ceremoniale nga protokolli i shtetit.