Lajmet e fundit

Seanca për standardet dhe privatizimin shtyhet për 20 prill

, 11.04.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar, ka shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës që seanca plenare e 13 prillit, në të cilën do të debatohej për standardet, privatizimin dhe për përgatitjet për përballimin e gripit të shpezëve, të shtyhet. Në kërkesën e Qeverisë, madje, precizohet që për privatizimin dhe gripin e shpezëve të debatohet më 20 prill, kurse për standardet për Kosovën, më 27 prill.

Kryesia ka marrë parasysh vetëm pjesërisht kërkesën e Qeverisë dhe ka vendosur që për të tri pikat të debatohet më 20 prill. Është kërkuar shprehimisht që Qeveria të përgatitë material për deputetët lidhur me të tri temat që do të shqyrtohen. Është vendosur, ndërkaq, që në këtë seancë të ftohet edhe përfaqësuesi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, kurse sa i përket kërkesës së kryetarit të BSPK-së, Bahri Shbani, për të marrë fjalën në seancë lidhur me procesin e privatizimit, Kryesia ka vlerësuar se materiali i BSPK-së për këtë çështje mund t’ u shpërndahet deputetëve, porse zotëri Shabani mund të marrë pjesë vetëm si vëzhgues.

Po në këtë mbledhje, Kryesia ka shqyrtuar pjesëmarrjen e anëtarit të Kryesisë Naim Maloku dhe të deputeteve Samije Zeqiraj dhe Gjylshen Berisha në Konferencën e Praktikës Parlamentare Lindje – Perëndim, që do të mbahet në Slloveni, si dhe kërkesën e deputetëve Alush Gashi, Gjylnaze Syla, Teuta Sahatqija dhe Vesna Jovanoviq për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë, të cilat kërkesa edhe janë tumirë.

Seanca për standardet dhe privatizimin shtyhet për 20 prill