Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti PSSP-në, Petersen
, 13.04.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen dhe ka biseduar me të për punët që i presin institucionet e Kosovës deri në përfundimin e bisedimeve për përcaktimin e statusit të vendit.
Kryeparlamentari Berisha në këtë takim miqësor është fokusuar në nevojën e ngutshme të miratimit të ligjeve, që kanë të bëjnë me plotësimin e standardeve dhe ka kërkuar nga zotëri Petersen që të përshpejtohet çështja e nënshkrimit dhe e shpalljes së një grumbulli ligjesh që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të cilat lidhen me plotësimin e standardeve për Kosovën.
Shefi i UNMIK-ut, Petersen, ka shprehur konsideratat e tij për ndryshimet pozitive që ka sjellë kryeparlamentari Berisha në krye të legjislativit, duke theksuar se ky nuk është vlerësim vetëm i tij, por edhe i përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtar në Kosovë, madje edhe i vetë Grupit të Kontaktit. Ai është shprehur i kënaqur me dinamikën e punëve të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës dhe ka shfaqur bindjen e tij se në qershor do të ketë arsye të raportojë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për përparime të dukshme në Kosovë.
Petersen, ndërkaq, ka pohuar se sheh një sinqeritet të institucioneve për arritje të rezultateve pozitive, por ka tërhequr vëmendjen se nevojiten sidomos përparime në terren dhe në veprime.