Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti ministrin e Drejtësisë, Salihaj
, 14.04.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot ministrin e Drejtësisë, Jonus Salihaj, i cili shoqërohej nga zëvendësministri, Sylë Hoxha, dhe ka biseduar me te për mbarëvajtjen e punëve në institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe për plotësimin e standardit të dytë.
Ministri, Salihaj, fillimisht e ka njoftuar kryeparlamentarin Berisha me përgatitjet që po bën kjo ministri për të qenë funksionale, si dhe me vështirësitë me të cilat po ballafaqohet aktualisht. Ai ka kërkuar mbështetje nga kreu i legjislativit të vendit për të punuar bashkë për plotësimin e standardit të dytë. Në këtë drejtim ai ka kërkuar më shumë gjyqtarë dhe prokurorë nëpër gjykata, për të zgjidhur lëndët e grumbulluara.
Kryeparlamentari Berisha, e ka vlerësuar tepër të rëndësishëm për vendin funksionimin e sistemit të drejtësisë, madje ka theksuar se drejtësia përcakton tipin e shtetit. Ai ka kërkuar reformim të sistemit të drejtësisë, sipas modelit të vendeve të Unionit Evropian dhe më shumë përgjegjësi nga gjykatësit dhe nga prokurorët.
Duhet të punojmë shumë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në gjykatat tona, është shprehur Berisha.