Lajmet e fundit
Nga Tryeza Regjionale në Tiranë
, 14.04.2006
Më ftesë të bashkorganizatorëve: Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, OSBE-së, Parlamentit të Shqipërisë dhe Akademisë Politike e OVP-së, delegacioni i Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në përbërje: Hydajet Hyseni, kryetar, Husnija Beshkoviq nënkryetar i Komisionit, mori pjesë në Tryezën Regjionale dy ditorë në Tiranë, më temën: Angazhimi i parlamenteve të Evropës Juglindore në parandalimin e krimit të organizuar.
Në Tryezën Regjionale morën pjesë edhe znj. Jozefina Topalli- kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, z. Sali Berisha-kryeministër i Shqipërisë, pastaj përfaqësues të, të Paktit të Stabilitetit, të Këshillit të Evropës, të Komisionit Evropian, si dhe përfaqësues të gjitha vendeve të Evropës Juglindore.
Pjesëmarrësit kanë diskutuar lidhur më rolin dhe aktivitetin e parlamenteve të Evropës Juglindore për parandalimin e krimit të organizuar, kurse në trajtesat e tyre rëndësi të veçantë i kanë kushtuar, miratimit dhe implementimit të ligjeve si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sigurisë për luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar, si një e keqe për rajonin dhe më gjerë.
Pas diskutimeve dy ditore, Tryeza Regjionale, nxori 10 pika për rolin e parlamenteve për ta luftuar krimin e organizuar në Evropën Juglindore që ka të bëjë me: Rolin e Parlamentit në fazat e bërjes së politikave për ta luftuar krimin e organizuar; Mekanizmat dëgjues dhe raportues; Rolin e Parlamentit në fazat e zhvillimit të legjislacionit; Depolitizimin e debatit; Punët e veçantë parlamentare; Përvetësimet buxhetore; Ngritjen e vetëdijes publike; Zbatimi i vendimeve dhe i politikave për sigurinë; Vlerësimet dhe mësimet e përfituara, si dhe për bashkëpunimin rajonal.
Zhvillimi i aktiviteteve të krimit të organizuar në Evropën Jug-Lindore (EJL) është një fyerje për përkushtimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në forcimin e Sundimit të ligjit në këto vendet, është thënë në takim. Veç kësaj, krimi i organizuar pengon zhvillimin ekonomik vendor dhe klimën e investimeve e mira financiare ndërkombëtare për vendet e Evropës Juglindore.
Pas përfundimit të punimeve të Konferencës, delegacioni i Komisionit Legjislativ i Kuvendit të Kosovës është pritur nga Fatos Beja, nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit parlamentar të ligjeve.
Në takim rendësi e veçantë i është kushtuar nevojës për bashkëpunimin ndërparlamentar për këmbimin e përvojave në miratimin e ligjeve. Është hedhur ideja, ndërkaq që në një të ardhme të afërt Komisioni Legjislativ i Kuvendi të Kosovës të këmbejë vizita reciproke me Komisionin e ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë.