Lajmet e fundit

Fjala përshëndetëse e z. Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, në seminarin e institutit “RIINVEST” lidhur me Qeverisjen e korporatave dhe transaprencën në ndërmarrjet publike të Kosovës

, 18.04.2006




Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës të këtij Seminari,

Më lejoni që të shpreh kënaqësinë time që në emër të Kuvendit të Kosovës t’ ju përshëndes në fillim të këtij Seminari dhe Projekti. Këto aktivitete janë dedikuar për një fushë aq të rëndësishme, siç është përmirësimi i qeverisjes së korporatave dhe e trancaprencës në ndërmarrjet publike të Kosovës. Përmbajtja e projektit dhe e këtij seminari, pjesëmarrësit në ligjërime, në diskutime, paneli dhe pjesëmarrësit e tjerë, tregojnë një qasje serioze ndaj këtij problemi me rëndësi të madhe .
Të nderuar të pranishëm, më lejoni të konstatoj se ky projekt paraqet një risi, sepse për herë të parë problemet e qeverisjes moderne të korporatave, bazuar në parimet e OECD- së po adresohen në Kosovë. Si i këtillë , Projekti do të gëzojë mbështetjen tonë.
Krahas progresit të bërë në aftësimin e ndërmarrjeve publike që të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët, ekonominë dhe shërbimet sociale, ne ballafaqohemi me shumë probleme në këtë fushë, si për shembull:

Vëllimi i cilësia e shërbimeve publike nuk janë të kënaqshme, çmimet nuk janë adekuate, transparenca dhe përgjegjësia është e pamjaftueshme, kompetencat në menaxhimin e tyre ende të pa përkufizuara mirë dhe të përcjellura me elemente konfliktuoze;

Qytetarët dhe bizneset shprehin pakënaqësi për këtë gjendje, ndërsa relacionet e ndërmarrjeve publike me institucionet e Kosovës janë të pandërtuara ; Kuvendi i Kosovës nuk ka informacionin e duhur për gjendjen, problemet dhe punën e këtyre kompanive;

Buxheti i Kosovës në vend se të përfitojë nga këto kompani , ai më tepër financon disa nga operacionet e tyre, e që për shkak të kufizimeve të tij dhe halleve të tjera të shumta me të cilat ballafaqohemi paraqet ngarkesë të madhe;

Relacioni me konsumatorë , qytetarë dhe biznese nuk është mirë i ndërtuar. Ekzistojnë probleme dhe papërgjegjësi në pagesën e faturave dhe në krijimin e mekanizmave efektiv, duke përfshirë edhe ata detyrues për mbledhjen e tyre;

Të gjitha këto probleme duhet t’i adresojmë dhe tejkalojmë për të siguruar zhvillimin e këtyre sektorëve strategjik, për të përmirësuar aftësitë e ekonomisë sonë për zhvillim dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve; Kuvendi i Kosovës do të angazhohet më shumë në rolin e tij prej ligjvënësi dhe monitoruesi dhe do të insistojë për përgjegjësi të adresuar, duke përfshirë edhe transparencën më të madhe dhe llogaridhënie për keqpërdorime , korrupsion dhe mosefikasitet në secilin nivel që paraqiten ato.

Duke përshëndetur punën tuaj, më lejoni që të përgëzoj zbatuesin e këtij projekti dhe partnerët e tij, veçanërisht Qendrën për Ndërmarrje Ndërkombëtare Private (CIPE) nga Uashtingtoni për mbështetjen e këtij Projekti dhe angazhimin në Kosovë që nga viti 1997, si dhe Qeverinë Amerikane, e cila nëpërmjet të kësaj Agjencie dhe shumë të tjerave po jep një kontribut aq të madh në Kosovë.

Ju faleminderit.