Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 19.04.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar, ka shqyrtuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për miratimin e Projektrezolutës për integrimin e minoriteteve në Kosovë dhe duke konstatuar se një rezolutë e ngjashme është miratuar më parë dhe se nuk është e zakonshme që dokumente të tilla të dalin nga Qeveria, e ka parë të udhës që projektrezoluta në fjalë t’u kalohet për shqyrtim grupeve parlamentare.

Katër anëtarë për Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media

Duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit Parlamentar ad hoc për emërimin e anëtarëve në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media (katër nga tetë anëtarët të cilët i ka propozuar shoqëria civile) është vendosur që çështja të shtrohet në seancën plenare të 27 prillit ( e shoqëruar me biografitë e tyre).

Për Qendrën Administrative-Protokollare në Gërmi

Kohën më të madhe të mbledhjes së Kryesisë, ndërkaq, e ka marrë debati rreth Informatës së Administratës së Kuvendit për shpenzimet buxhetore në tremujorin e katërt, 2005 dhe për punët e kryera në Qendrën Administrative-Protokollare në Gërmi. Nga informata ka rezultuar se është kryer rreth gjysma e punimeve në Qendrën në Gërmi dhe është pagur gjysma e shumës së kontraktuar (mbi 1.165.000 euro). Nga analiza e dokumentacionit ka dalë se firma ndërtuese kërkon mjete shtesë për aneksin C, i cili nuk figuron në kontratën për ndërtim. Dhe, ndërkohë që ushtruesi i detyrës së sekretarit të Kuvendit, Isuf Demaj, ka pohuar se ka pasur vendim të shkruar të Kryesisë për ndërtimin e Qendrës në Gërmi, anëtarë të Kryesisë, dhe drejtues të Sektorit për çështje ligjore dhe procedurale, kanë këmbëngulur se asnjëherë Kryesia e Kuvendit nuk ka marrë ndonjë vendim formal-juridik për ndërtimin e Qendrës në Gërmi. Madje, ka pasur propozime që të ndërpriten fare ndërtimet, derisa të mos sqarohet çështja.

Kryesia ka vendosur që një mbledhje të tërë t’ia kushtojë kësaj qendre dhe të vendosë se ç’të bëhet me të.

Do të shqyrtohet edhe një herë tjetër, ndërkaq, edhe ndarja e hapësirave në ndërtesën e Kuvendit për nevoja të grupeve parlamentare, të komisioneve, të deputetëve dhe stafit civil të Kuvendit të Kosovës.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit