Lajmet e fundit
Komunikatë për media e grupit parlamentar "Për Integrim"
, 20.04.2006
Kërkesa legjitime dhe me mbështetje të fuqishme ligjore e grupit parlamentar ”Për integrim”, për emërimin e anëtarëve të tij në komisionet funksionale të Kuvendit të Kosovës, si anëtarë të barabartë me të drejtë vote, në mënyrë të përsëritur është refuzuar nga ana e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ky akt i voluntarizmit politik paraqet shkelje të rëndë të Nenit 9.1.19 të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë dhe të : Rregullës 41, paragrafi 1; Rregullës 42, paragrafët 3 dhe 4, si dhe të Rregullës 48, paragrafi 4 i Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, që sigurojnë barazinë e plotë të grupeve politike në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë mënyrë, është bërë diskriminimi i grupit politik me përbërje më multietnike në Kuvendin e Kosovës. Në vend se të përkrahet dhe të promovohet puna e tij, jemi ballafaquar me obstruksion të pakuptimtë që në mënyrë të drejtpërdrejtë e pengon punën e grupit tonë parlamentar dhe që seriozisht e cenon funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë vendim, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka rënë në njërin prej testeve më të rëndësishme të rregullimit kushtetues, sigurimin e barazisë së plotë për të gjitha grupet politike në Kuvendin e Kosovës. Jemi të bindur se shoqëria kosovare është kundër veprimeve të këtilla që cenojnë integrimin e plotë të përfaqësuesve politik të komuniteteve me përkatësi të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, në aktivitetet e Kuvendit të Kosovës; veçanërisht në kohën kur kryetari i Kosovës, Sejdiu dhe kryeministri Çeku, në mënyrë të përsëritur pohojnë gatishmërinë e shoqërisë dhe të institucioneve kosovare për multietnicitet dhe shoqëri të hapur.
Duke konsideruar se situata e krijuar paraqet sfidë të rëndësishme për strukturën demokratike të shtetit të Kosovës, grupi parlamentar ”Për integrim” informon opinionin se nuk do të heq dorë nga e drejta e tij kushtetuese për përfaqësim të barabartë në të gjitha organet e Kuvendit të Kosovës dhe se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar këtë.
Shprehim keqardhje që përkundër vullnetit më të mirë dhe tolerancës maksimale të dëshmuar në pesë muajt e kaluar, këtë të drejtë legjitime dhe ligjore duhet ta realizojmë nëpërmjet mekanizmave politik jashtë Kuvendit të Kosovës.