Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Asociacionit të Komunave të Kosovës
, 21.04.2006
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot delegacionin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, të cilin e përbëjnë kryetarët e komunave të vendit. Në fillim të takimit, Ismet Beqiri në emër të këtij Asociacioni, e përgëzoi kryeparlamentarin për detyrën e re. Beqiri dhe folësit tjerë, pos që e uruan kryetarin, premtuan një bashkëpunim institucional në të gjitha segmentet që kanë për qëllim zhvillimin shoqëror e ekonomik të vendit, por edhe zbatimin e ligjeve që sjell Kuvendi i Kosovës. Kryetarët e komunave theksonin se do të duhej të bëhet një praktikë që Parlamenti me rastin e hartimit dhe procedimit të ligjeve, të konsultojë edhe komunat, sepse pikërisht ato do të mbajnë mbi supe edhe çështjen e aplikimit të ligjeve në praktik . Ky do të ishte edhe një si lloj debati publik për ligjet.
Diskutuesit vlerësuan lart klimën e debatit mjaft të frytshëm që po zhvillohet në Parlament. Me këtë rast ata përmendën edhe shumë halle me të cilat ballafaqohen në punën e përditshme për të krijuar një ambient sa më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit . Ata ishin të njëzëri se janë për zbatimin e përpiktë të ligjeve, ndaj edhe auditimi që po bëhet aktualisht, po gjen përkrahje në të gjitha komunat, sepse, si u tha këtu, ai është në funksion të eliminimit të dobësive, si i tillë ai edhe heq dilemat .Diskutuesit u angazhuan edhe për transparencë më të madhe të procesit të decentralizimit.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kreu i legjislativit të vendit, Kolë Berisha theksoi se pesha kryesore e aktiviteteve zhvillohet në komuna. Edhe pavarësia e Kosovës fillon në komuna, sepse komunat e zhvilluara janë faktor shumë i rëndësishëm për rimëkëmbjen e vendit, pra edhe të ndërtimit të shtetit stabil, që jeton në mbështetje të resurseve të veta njerëzore e materiale. Kjo do të ishte edhe si përgjigje për zërat që pyesin se a mund të mbijetoni si shtet i pavarur. Parlamenti i Kosovës do të jetë gjithnjë i hapur dhe afër halleve me të cilat ballafaqohen komunat, sepse vetëm së bashku mund të arrihet zhvillimi më i hovshëm. Kryeparlamentari Berisha tha se kryetarët e komunave i sheh si subjekte jashtë partiake, sepse zhvillimi i komunave është përgjegjësi e të gjithëve dhe nuk mund të ketë ngjyrime partiake.
Në vijim kryeparlamentari Berisha i njoftoi të pranishmit edhe për angazhimin gjithnjë më të madh për nxjerrjen e ligjeve nga ana e Kuvendit , sidomos të atyre bazike.