Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin e PDSH-së, në krye me z. Arbën Xhaferi

, 24.04.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua sot me një delegacion të Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, në krye me z. Arbën Xhaferi, kryetar i kësaj partie. Temë bosht e këtij takimi ishin proceset aktuale politike nëpër të cilat ecën Kosova. Kryeparlamentari Berisha pasi shprehu mirënjohje për mbështetjen që shqiptarët e Maqedonisë dhanë për Kosovën para, gjatë dhe pas luftës, njoftoi delegacionin e PDSH-së për së afërmi me punën e Parlamentit të Kosovës , si dhe me takimet e Vjenës. Në këtë frymë kreu i legjislativit të vendit theksoi se kur është fjala për statusin e Kosovës të gjithë jemi një. Në tërë procesin rreth statusit angazhohemi e paraqitemi si Kosovë, e jo si parti politike. Në këtë kuadër Kosova jep garanci për pozitën e minoritetit serb dhe të gjitha minoriteteve tjera.

Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se momenti i tashëm është tepër i rëndësishëm për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Në këtë vështrim Arbën Xhaferi ofroi mbështetje esenciale për të gjitha zhvillimet aktuale në Kosovë. Shqiptarë e Maqedonisë, tha ai , mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Duke u ndërlidhur me çështjen e punës së Parlamentit të Kosovës, Xhaferi pasi e inkurajoi kryeparlamentarin për kultivimin e frymës demokratike në Parlament, tha se ky institucion prodhon unitetin kombëtar, ndaj të gjithë duhet t’iu nënshtrohemi ligjeve që dalin nga Parlamenti.

Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin e PDSH-së, në krye me z. Arbën Xhaferi