Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa
, 26.04.2006
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit , shqyrtoi sot Raportin e pasqyrave financiare për vitin 2005. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri me bashkëpunëtorë.
Gjatë prezantimit të këtij Raporti nga ana e ministrit Shatri dhe bashkëpunëtorëve të tij, u theksua se ka lëvizje pozitive në ecuritë e aktiviteteve financiare gjatë vitit të kaluar. Kjo u ilustrua me të dhënat se të hyrat ishin realizuar rreth 98, për qind. E dhënë inkurajuese në këtë aspekt ishte fakti se po vërehet një zbritje e përqindjes së të hyrave në kufi, derisa në të njëjtën kohë kemi një rritje të ndjeshme të të hyrave në brendi, të cilat realizohen nga ana e administratës tatimore të Kosovës, shenjë kjo se kjo administratë ka shtuar efektshmërinë në arkëtimin e tatimeve. Njëkohësisht është shënuar edhe një zvogëlim i shpenzimeve në pajtim me obligimet që janë marrë para institucioneve vendëse dhe atyre ndërkombëtare. Po aplikohet një politikë e matur në shpenzime drejt një balanci më të favorshëm buxhetor, si faktor që ndikon gradualisht në zvogëlimin e deficitit në buxhetin e Kosovës. Ndërkaq, në lëmin e investimeve kapitale shënohet një rënie.
Disa anëtarë të komisionit shtruan disa pyetje rreth disa pikave që ngërthen Raporti, duke kërkuar një analizë më të detajuar. Ministri dhe bashkëpunëtorët, pos që dhanë përgjigje, u zotuan se do të ofrojnë edhe një analizë më detaje, madje ata theksuan se secilit anëtar, Komisionit në përgjithësi, ashtu si edhe Kuvendit do t’ i ofrohen detaje për çdo pikë që iu intereson, për secilën agjenci shpenzuese. Ministria është e gatshme që krahas këtij raporti të paraqesë në Kuvend edhe Raportin financiar të tremujorit të parë të këtij viti.