Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të BDI-së, kryesuar nga Ali Ahmeti
, 02.05.2006
Proceset aktuale politike, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe kontributi që japin shqiptarët e Maqedonisë në proceset e gjithmbarshme, sidomos kur është fjala për procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ishin çështje thelbësore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me delegacionin e partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, të kryesuar nga Ali Ahmeti, kryetar.
Kryeparlamentari Berisha në prononcimin e tij para mediave shprehu mirënjohje për kontributin që jep BDI-ja në avancimin e proceseve në Kosovë. Ai tha se kjo parti dhe përgjithësisht shqiptarët e Maqedonisë, por edhe pjesa tjetër e popullit shqiptar në shtetet tjera, janë në rrjedha me zhvillimet e këtushme, duke ofruar gjithnjë ndihmën e tyre të çmuar, sidomos tash kur është aktuale çështja e vendosjes së statusit të Kosovës. Kanë ndihmuar shumë dhe po kontribuojnë edhe sot, pra po bëhet një punë e përbashkët. Në këtë vështrim me BDI-në do të kemi kontakte edhe më të shpeshta për të thelluar bashkëpunimin.
Duke shkoqitur disa nga segmentet e bisedës gjatë takimit, Ali Ahmeti theksoi se është folur për ecuritë e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për avancimin e shumë nismave për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Edhe Ahmeti në plan të parë vuri çështjen e intensifikimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, në këto ditë kur po zhvillohen punë jashtëzakonisht të rëndësishme rreth të ardhmes së Kosovës,posaçërisht të mbështetjes së pavarësisë së saj. Në këtë aspekt, premtoi Ahmeti, ndihma e BDI-së dhe e shqiptarëve të Maqedonisë nuk do të mungojë. Ndërkaq, marrëdhëniet miqësore ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës do ta lehtësojnë zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Përkitazi me pyetjen se çfarë mendoni për çështjen e përcaktimit të kufirit të Maqedonisë dhe Kosovës, Ahmeti u përgjigj se kjo është çështje teknike, që do të zgjidhet me bisedime të dyanshme dhe nuk do të jetë problem serioz për avancimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Ai tha se në politikën e jashtme maqedone vërehen lëvizje mjaft pozitive, madje kjo nuk është meritë kryesisht jona, ky është fryt i asaj se popujt e rajonit ndiejnë nevojën për më shumë stabilitet dhe paqe. Në këtë frymë , ka edhe një avancim shtetëror maqedon në qëndrimin drejt zgjidhjes së statusit final të Kosovës.