Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një grup nxënësish nga gjimnazi i Malishevës
, 02.05.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti një grup nxënësish nga gjimnazi “Abdyl Frashëri” të Malishevës, të cilëve iu printe mësimdhënësi Avdyl Kastrati. Me këtë rast , në emër të nxënësve Kastrati e përgëzoi kryeparlamentarin Berisha për detyrën e re, si dhe për punën që po bëhet në Parlament.
Kryeparlamentari Berisha i njoftoi nxënësit me angazhimet aktuale të Kuvendit në fushën e legjislacionit, si dhe me strukturën e tij, të cilën e përbëjnë deputetë nga 17 parti politike nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Puna më e madhe në 11 komisione dhe në Kuvend bëhet në nxjerrjen e ligjeve, sepse pa ligje nuk mund të punojë asnjë shtet, theksoi kreu i legjislativit.
Ky grup nxënësish gjatë kësaj vizite shtroi edhe kërkesën që institucionet e Kosovës të ndihmojnë në rregullimin e varrezave të nxënësve të kësaj shkolle , të cilët pësuan tragjikisht në një aksident komunikacioni në Fushë-Arrëz. Nxënësit malishevas vizituan edhe ambientet e Kuvendit. Ata i bënë edhe një ftesë kryeparlamentarit që të vizitojë shkollën e tyre, për t’ u njohur me veprimtarinë edukative e arsimore në këtë institucion.