Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 04.05.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar, ka miratuar rendin e ditës për seancën e 11 majit, si dhe kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të debatohej për gjendjen në arsim, posaçërisht për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës.
Është vendosur që në seancën e 11 majit të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për tokën ndërtimore dhe dhënien me qira; Projektligji për shëndetësinë publike dhe Projektligji për veprimtarinë hidrometeorologjike. Po në këtë seancë, ministri Qemajl Ahmeti do të paraqitet në interpelancë për gjendjen e rrugëve në Kosovë, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së.
Seanca e jashtëzakonshme, sipas kërkesës së të njëjtit grup parlamentar (të cilën e kanë nënshkruar 42 deputetë nga radhët e PDK-së, të Grupit Parlamentar për Integrim dhe të Ora-s), do të mbahet më 12 maj.
Kryeparlamentari Berisha e ka njoftuar Kryesinë e Kuvendit se do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në SHBA, në organizim të Zyrës Amerikane në Prishtinë.
Kryesia ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë për kompensimet e shpenzimeve për vizita jashtë vendit, me vërejtjen e stërpërsëritur që Kryesia duhet të njoftohet paraprakisht për këto vizita.
Sa përket kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së për kompensimin e të ardhurave për një vit, për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, Kryesia ka vendosur të veprohet sipas rregullave në fuqi dhe ngjashëm me rastet e ish-deputetëve, të cilët pas përfundimit të mandatit nuk kanë siguruar të ardhura financiare.
Duke e shqyrtuar propozim-vendimin për caktimin e shumës të shpenzimeve për telefon dhe shërbimet e bufesë, Kryesia e ka tumirë atë me vlerësimin se kësisoj Kuvendi i Kosovës do të kursejë mbi 20 mijë euro në vit. Kryesia po në mbledhjen e sotme ka caktuar panelin pesë anëtarësh për intervistimin e kandidatëve për sekretar të Kuvendit, për t’i propozuar asaj tre emra nga kandidatët e paraqitur.