Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ

, 08.05.2006




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetues, në mbledhjen e drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i komisionit, në të cilën merrnin pjesë ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, si dhe përfaqësues të Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, të Zyrës së Këshillit të Evropës, të OSBE-së dhe të USAID-it, ka shqyrtuar çështje të bartjes së kompetencave në lëmin e drejtësisë, çështjen e inicimit të procedurës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si dhe ka shqyrtuar disa projektligje në aspektin e bazës juridike në Kornizën Kushtetuese dhe ka amendamentuar disa projektligje të tjera.

Sa i përket Avokatit të Popullit (Ombudspersonit) është thënë se duhet të jetë vendës dhe me kompetenca të plota të fushëveprimit. Është arritur pajtimi për inicimin e procedurës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe është thënë se çështja duhet të kalojë nëpër procedura të Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket Projektligjit për ndërmjetësim është konstatuar se projektligji në fjalë më shumë përcakton mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve për ndërmjetësim se sa të procedurave të ndërmjetësimit. Ekspertët, kanë sugjeruar që Ligji për ndërmjetësim të miratohet në pako me Ligjin për zgjedhjen e Këshillit për ndërmjetësim, në mënyrë që të sigurohet zbatueshmëri e rregullativës për ndërmjetësim.

Në po këtë mbledhje, Komisioni Legjislativ ka shqyrtuar nen për nen Projektligjin për ditën e dëshmorëve dhe Projektligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, kurse ka shqyrtuar nga aspekti i bazës juridike në Kornizën Kushtetuese: Projektligjin për ndërprerjen e shtatzënisë dhe atë për Sigurinë në komunikacionin rrugor.

Nga mbledhja e Komisionit Legjislativ