Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti drejtuesit e Zyrës së EUMM

, 10.05.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha,priti drejtuesit e Zyrës së Misionit Vëzhgues të BE-së në Prishtinë, zotërinjtë Toni Caporella dhe John Courtney. Qëllimi i takimit ishte njohja në vazhdimësi e BE-së me ecuritë aktuale në Kosovë, e veçanërisht me punën dhe prioritetet e Kuvendit të Kosovës.

Duke komentuar ecurinë e procesit të negociatave, kryeparlamentari Berisha, u shpreh i kënaqur me angazhimin e Ekipit Negociator, por siç tha ai , megjithë faktin se po përpiqemi të ofrojmë maksimumin e angazhimit e të kooperimit , të dokumenteve etj., pala serbe po vazhdon avazin e vjetër të obstruksioneve, duke bllokuar negociatat dhe duke errësuar perspektivën e tyre. Edhe më tej , tha kryeparlamentari Berisha, nuk presim ndonjë ndryshim në qëndrimet e Beogradit dhe nuk presim ndonjë rezultat nga negociatat. Sidoqoftë, Kosova nuk mund të jetë gjithnjë viktimë e obstruksioneve të Beogradit, prandaj shpresojmë se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, tha ai.

Drejtuesi i Zyrës së EUMM, Caporella tha se Kosova është në rrugë të mirë të ecjes përpara. Ai pasi vuri në dukje se të dy palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre, theksoi se tani e ka radhën bashkësia ndërkombëtare, që të thotë qëndrimin e saj. Drejtuesi i Zyrës së Misionit Vëzhgues të BE-së, Caporella u interesua edhe për zgjedhjet në LDK. Z. Berisha, duke u përgjigjur në këtë pyetje tha se është normal interesimi, edhe i vendorëve, edhe i ndërkombëtarëve për zgjedhjet në LDK, se përgatitjet janë duke u zhvilluar dhe për mundësinë e shtyrjes për një kohë të caktuar, në interes të përgatitjes sa më të mirë dhe në interes të kualitetit të këtyre zgjedhjeve.