Lajmet e fundit

Kryeparlamnentari Berisha priti një delegacion të SBASHK-ut, në krye me z. Ali Shabani

, 10.05.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot një delegacion të SBASHK-ut . Kryetari i këtij asociacioni, z. Ali Shabani, ka shtruar në këtë takim shqetësimin e sindikatës për gjendjen materiale të arsimtarëve dhe të arsimit përgjithësisht dhe ka kërkuar që kjo çështje të vihet në rend dite në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha premtoi mbështetje të padiskutueshme për kërkesat e sindikatave të arsimit, duke shtuar se arsimi në të gjitha nivelet në Kosovë përbën një prioritet të rëndësishëm . Z. Berisha vuri në dukje se avancimi i arsimit është edhe një nga preokupimet madhore në agjendën e tij, edhe për faktin se pjesën më të madhe të veprimtarisë e ka kaluar si punëtor i arsimit.

Në takim u diskutua edhe gjendja aktuale në Universitetin e Prishtinës. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kolë Berisha, duke konsideruar studentët të shenjtë , njëkohësisht vlerëson se ata vetë, më shumë se askush tjetër, duhet ta ruajnë shenjtërinë e tyre. Studentët , tha ai, duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në fushën e përfitimit të njohurive shkencore në universitete vendëse e ndërkombëtare . Ky duhet të mbetet orientim dhe preokupim i tyre primar dhe i vazhdueshëm.

Delegacioni i SBASHK-ut e njoftoi kryeparlamentarin se ka planifikuar takime me drejtuesit e të gjitha partive politike, duke kërkuar takim edhe me LDK-në, për të shtruar e diskutuar shqetësimet lidhur me gjendjen në arsim. Po kështu, ata njoftuan edhe për organizmin e një konference, e cila do të mbahet më 2 e 3 qershor në Prishtinë, në të cilën do të trajtohen çështjet aktuale në arsim.