Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Këshillit për Politikë të Jashtme nga SHBA-të, kryesuar nga gjenerali, William Nash
, 12.05.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot një delegacion të Këshillit për Politikë të Jashtme dhe parandalimin e konflikteve nga SHBA-të, të kryesuar nga gjenerali, William Nash, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për perspektivat e tyre. Mysafirët amerikanë janë interesuar sidomos për zhvillimin e negociatave për statusin e Kosovës, për perspektivat e integrimeve evropiane të Kosovës, si dhe për garancitë që ofron Kosova për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, sidomos të atyre të komuniteteve.
Kryeparlamentari Berisha, duke e vlerësuar ndihmën e madhe të SHBA-ve për proceset demokratike në Kosovë, ka theksuar se të gjitha resurset njerëzore, ekonomike dhe politike të vendit garantojnë se Kosova e passtatusit do të jetë një vend funksional e paqësor dhe faktor stabiliteti në rajon. Ai ka pohuar se Kosova do të jetë shtet demokratik me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre dhe do të hapë perspektiva për integrimin e tyre në të gjitha proceset shoqërore dhe institucionale. Berisha ka theksuar, ndërkaq se, shoqëria kosovare është e orientuar drejt integrimeve euro-perëndimore dhe në lidhje të ngushta me SHBA-të.