Lajmet e fundit

Seanca e jashtëzakonshme për gjendjen në Universitetin e Prishtinës do të vazhdojë edhe të hënën e ardhshme

, 12.05.2006




Seanca e jashtëzakonshme për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, e kërkuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së dhe i mbështetur edhe nga deputetë të ORA-s dhe të Grupit Parlamentar për Integrim, ka vazhduar deri në orët e vona të pasdites së sotme dhe nuk ka përfunduar por do të vazhdojë edhe ditën e hënë, më 15 maj.

Fillimisht ka pasur mospajtime për atë se a do të debatohet për gjendjen në arsim, me theks të veçantë për gjendjen në Universitet, siç kishte qenë kërkesa e nënshkruar për këtë seancë, apo të debatohej vetëm për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, siç kishte vendosur Kryesia e Kuvendit.

Pas një pauze, për konsultime të grupeve parlamentare, është arritur pajtimi të debatohej për Universitetin, duke e lënë mundësinë që për nivele të tjera të arsimit të debatohet në ndonjë seancë tjetër.

Ministri për Arsim, Shkencë dhe teknologji, Agim Veliu, ka shpjeguar para deputetëve arsyet që e kanë shtyrë ta nënshkruaj aktin administrativ për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, të cilin shumë deputetë, sidomos nga radhët e opozitës e kanë vlerësuar si shkelje e autonomisë së Universitetit, ndërkohë që shumë deputetë nga radhët e koalicionit qeverisës kanë mbështetur vendimin e Ministrisë së Arsimit, duke pohuar se pikërisht zgjedhjet e përgjithshme mundësojnë punë më cilësore në arsimin e lartë dhe mënjanojnë rrezikun e izolimit ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës.

Të gjithë, ndërkaq, janë pajtuar se Universiteti duhet të depolitizohet, por nuk kanë hezituar ta akuzojnë palën tjetër se me veprimet e saj i kontribuon politizimit të institucionit ë arsimit të lartë publik në Kosovë.

Debati për këtë çështje do të vazhdojë ditën e hënë, kur eventualisht mund të arrihet edhe ndonjë qëndrim i përbashkët i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për tejkalimin polarizimeve rreth gjendjes në Universitetin e Prishtinës.