Lajmet e fundit
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës takuan ambasadorin e Spanjës në Beograd z. Jose Riera-Siquier
, 15.05.2006
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Mahir Yagcilar dhe Ramë Buja kanë pritur sot ambasadorin e Spanjës në Beograd, Jose Riera-Siquier dhe kanë biseduar me të për punën e Kuvendit, për zhvillimet në Kosovë dhe për perspektivat zhvillimore pas statusit të vendit.
Sabri Hamiti, i cili zëvendëson kryeparlamentarin Berisha ( gjendet për vizitë zyrtare në SHBA), ka prezantuar fillimisht punën e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se në të përfaqësohen 17 grupime politike të të gjitha etnive dhe komuniteteve. Ai pastaj ka theksuar punën e madhe në miratimin e ligjeve, të cilat mëtohet të jenë kompatibile me legjislacionin e vendeve të Unionit Evropian dhe ka pohuar se Kuvendi gjithnjë e më tepër po bëhet vend i debatit të hapur parlamentar për çështje, të cilat u interesojnë institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.
Institucionet e Kosovës janë përqendruar në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe në përmbushjen e standardeve, ka thënë Hamiti dhe ka shtuar se ka koncensus të plotë politik për ardhmërinë e vendit.
Mahir Yagcilar, i cili përfaqëson komunitetet joshqiptare dhe joserbe në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës është shprehur i bindur se në Kosovën e pavarur pakicat kombëtare do të kenë mundësinë të zhvillohen edhe si individë edhe si komunitete. Ai, ndërkaq, ka theksuar se minoritetet do të vazhdojnë të shtrojnë kërkesa, sidomos sa i përket ruajtjes së identitetit dhe kulturës.
Xhavit Haliti i ka thënë diplomati spanjoll se janë të kuptueshme vështirësitë e funksionimit të institucioneve të reja demokratike në Kosovë, por ka thënë gjithashtu se ato kanë bërë përpjekje të mëdha për plotësimin e standardeve. Ai ka theksuar se oferta e palës shqiptare për serbët e Kosovës është serioze dhe vazhdimisht e hapur.
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kanë pohuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës e vlerësojnë të nevojshëm bashkëpunimin me mekanizmat evropianë edhe pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, por jo edhe zgjatjen e mandatit UNMIK-ut, qoftë edhe me ndonjë emër tjetër.
Ambasadori i Spanjës në Beograd, Jose Riera-Siquier, duke folur për rëndësinë që vendi i tij i jep mbarëvajtjes së proceseve pozitive këtu, ka theksuar se Spanja ka krijuar një njësi për Kosovën, e cila në të ardhmen mund të shndërrohet në zyre të këtij vendi në Prishtinë.