Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua me komunitetin shqiptar të Nju-Jorkut me rrethe

, 16.05.2006




Nju-Jork, 16 maj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt: Ramë Manaj, But Dedaj e Behxhet Haliti, këto ditë po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua mbrëmë, në Nju-Jork, me komunitetin shqiptar të Nju-Jorkut me rrethe. Tubimi, në të cilin morën pjesë pjesëtarë të komunitetit nga të gjitha viset shqiptare, ndër ta edhe përfaqësues të organizatave, të partive politike e të shoqatave të tjera shqiptare e shqiptaro-amerikane, u organizua nga Dega e LDK-së për Nju-Jork dhe në këtë tubim mori pjesë edhe Eqrem Kryeziu, nënkryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Agim Rexhaj, kryetar i Degës së LDK-së për Nju-Jork, pasi përshëndeti pjesëmarrësit e tubimit, ndër ta edhe ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ardian Neritani, ish-ambasadorin e Shqipërisë në SHBA, Lublin Dilja, kryetarin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, Agim Karaxhozi, kryetarin e KSHA, Avni Mustafa, përfaqësuesin e LQSHA, Hafiz Shala, biznesmenin e njohur Hajdar Bajraktari e shumë të tjerë, falënderoi SHBA-të për kontributin që kanë dhënë dhe që po japin edhe sot për Kosovën dhe për zgjidhjen e drejtë të statusit të saj, falënderoi edhe shqiptarët e Amerikës që ndihmuan e që po ndihmojnë aq shumë për çështjen e Kosovës dhe tha se meritat për gjithë atë pse Kosova sot ndodhet shumë afër ditës kur do të njihet ndërkombëtarisht si shtet i pavarur i ka presidenti tashmë i ndjerë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, pasi i përshëndeti të pranishmit në emër të institucioneve të Kosovës, tha se nuk ka ardhur në Amerikë për fushatë elektorale, sepse fushata ende nuk ka filluar dhe ajo duhet të mbahet në Kosovë e jo në Amerikë, por se me bashkëpunëtorët e tij ka ardhur për të bërë takime zyrtare me personalitete të larta amerikane në Nju-Jork e në Uashington, por edhe për t’u takuar me komunitetin shqiptar të Amerikës dhe me kryesitë e degëve të LDK-së në Nju-Jork e në Detroit.

Berisha tha se ndjehet i mangët që në këtë vizitë në Amerikë nuk solli me vete si dikur përshëndetjet dhe mesazhet e persidentit tashmë të ndjerë dr. Ibrahim Rugova, por kohën në të cilën jetoi dhe punoi lideri historik dhe shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës e quajti Epoka e Rugovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës pastaj tha se ndjehet shumë i lumtur sa herë vjen në shtetin më demokratik dhe më të fuqishëm të botës, i cili në fillim të shekullit të kaluar formoi një shtet shqiptar dhe edhe tash, në fillim të këtij shekulli, po formon edhe një shtet tjetër shqiptar – shtetin e Kosovës.

Berisha u tha të pranishmëve në tubim se gëzohet që i sheh bashkë në partinë më të mirë – në partinë gjithëshqiptare, dhe me ideologjinë më të mirë – me ideologjinë gjithëkombëtare. “Po të mos ishit ju, këtu në SHBA, dhe vëllëzërit tanë në pjesë të ndryshme të Evropës, liria në Kosovë do të vinte shumë më vonë dhe do të kushtonte shumë më shtrenjtë”, tha Kolë Berisha.

Pas përshëndetjeve që bënë edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, pastaj nënkryetari i parë i LDK-së, dhe kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra”, mysafirëve nga Kosova iu shtruan shumë pyetje nga të pranishmit në tubim. Interesimet e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Amerikë kishin të bënin me atë se deri ku është arritur me procesin e negociatave për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, se çfarë do të ndodhë më Mitrovicën, se çka nënkupton procesi i decentralizimit në Kosovë, por nuk u lanë anash as lëvizjet e kohëve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesëmarrësit e tubimit pyetën edhe pse u ndërrua akademik Nexhat Daci, pse nuk po mbahen zgjedhjet në LDK, e të tjera.

Kryeparlamentari Berisha, i pyetur drejtpërdrejt për akademik Nexhat Dacin dhe ndërrimin e tij nga kreu i Parlamentit të Kosovës, tha: “Kurrë nuk kam menduar (e as që kam kontribuuar) që emri im të lakohet në kontekst të aferave që lidhen me poste politike, e aq më pak me një akademik siç është Nexhat Daci, të cilin e kam respektuar dhe do ta respektoj për titullin shkencor që ka. Ka dy muaj që kjo aferë është prezente nëpër mediat kosovare. Prandaj, u jam mirënjohës që ma dhatë mundësinë të përgjigjem në këtë pyetje. Mund të mos jetë përgjigje estetikisht në nivel, por ju garantoj se do ta merrni përgjigjen shumë të sinqertë. Është një histori paksa më e gjatë që i ka paraprirë kësaj aafere dhe unë, për shkak të respektit që kam ndaj akademik Dacit, më duhet durimi juaj që ta sqaroj këtë deri në fund. Në vitin 1998, kur u zgjodha nënkryetar i LDK-së, akademik Dacin e kam njohur vetëm si emër. Më vonë, nga ai kam kuptuar se edhe ai ka dëgjuar për emrin tim. Me t’u vendosur në Prishtinë, akademik Daci më ka ofruar strehim në shtëpinë e tij, ose pagesën e qirasë në ndonjë vendstrehim tjetër në Prishtinë, gjë që për mua ishte e papritur dhe nuk do ta harroj kurrë këtë të mirë të tij. Si nënkryetar i LDK-së fillova të kem kontakte me të dhe të njihemi më mirë mes veti. Në momentin kur dëshironim ta formonim Qeverinë në Kosovë, akademik Dacin e propozova për ministër të Arsimit, ndërkaq ai duke më falënderuar më tha: Kolë, mendoj se posti i ministrit të Arsimit është më tepër është post administrativ dhe mendoj se kontributi im do të ishte më i madh në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në Universitet, ndërkaq në zgjedhjet e para lokale profesor Dacin e lutëm t’i prijë listës së kandidatëve për komunën e Prishtinës, jo pse dikush tjetër nuk ishte i gatshëm ta pranojë ose që frikëesohej, por për shkakun se listës dëshironim t’i printe një akademik si[ ishte Nexhat Daci. Asokohe, profesor Daci pranoi këtë ofertë, por tha: Nga unë mos kërkoni të bëj prostitucion politik, që do të thoshte të mos dalë në terren, ose në media. Kjo ishte një marrëveshje mes nesh. Megjithatë, pas luftës kur në zgjedhjet e para nacionale profesor Daci përmes një ish-studenti të tij që aktualisht ishte kryetar i Forumit Rinor të LDK-së, Lulzim Zeneli, shfaqi dëshirën që të jetë në disponim për ndonjë post. Për këtë, disa herë më është afruar edhe mua dhe më ka thënë: Kolë, nëse keni nevojë për mua për cilindo vend, unë jam në disponim dhe mendoj se mund ta kryej detyrën. Kam aftësi dhe kualitete që ta kryej me sukses cilëndo prej detyrave që ma ofroni. Në atë kohë profesor Daci kontaktonte me zyrat e ndërlidhjeve të përfaqësuesve të Kuintit, të vendosura në Kosovë gjatë tërë kohës së përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve të para të qeverisjes në Kosovë. T’ju them se derisa nga zyrat e Kuintit bëheshin kombinatorika për kandidatët për poste të ndryshme në këto institucione, presidenti Rugova dhe unë bisedonim pikërisht për kandidatin që do të duhej ta merrte udhëheqjen e Parlamentit të Kosovës. Në një moment, presidentit Rugova i propozova: Kryetar, ja ku i keni tre kandidatët e parë që i prinë listës, siç ishin akademik Daci, prof. dr. Fatmir Sejdiu dhe akademik Sabri Hamiti. Kryetari më tha: Pse ti jo? Natyrisht se siç kam refuzuar edhe shumë herë poste të tjera, refuzova edhe këtë post, duke menduar se të tjerët do ta kryejnë më mirë se unë këtë punë. Një element tjetër që i është i njohur edhe profesor Dacit, e që e preka pak më parë, është një bisedë që u zhvillua në rëzidencën e presidentit Rugova, e ku ishim prezentë: kryetari Rugova, profesor Daci, Skënder Hyseni dhe, me sa më kujtohet, edhe Nekibe Kelmendi. Profesor Daci e paraqiti listën e kombinimeve për vendet udhëheqëse në nivelin më të lartë kosovar, të propozuar nga miqtë tanë, përkatësisht zyrat e ndërlidhjeve në Kosovë. Në njërën nga ato lista, në kombinimet e mundshme gjendej edhe emri im, të cilit i rashë vijë. Profesor Dacit i kujtohet mirë ky rast. Bile, edhe më qortoi se nuk do të duhej të veproja kështu. E them këtë për të dëshmuar se vërtet nuk kisha, sikundër nuk kam as tash, pretendime karrieriste. Dhe, më në fund, krejt kjo përfundoi me zgjedhjen e akademik Dacit për kryetar të Parlamentit të Kosovës, me zgjedhjen e profesor Fatmir Sejdiut për nënkryetar të Kuvendit, kurse akademik Sabri Hamiti për shef të grupit parlamentar. Natyrisht, këto emërime i ka bërë kryetari Rugova pas refuzimit tim për ndonjërin nga funksionet e mundshme, pra edhe për atë të kryeparlamentarit. Duhet theskuar se kryeparlamentari Daci gjatë përfundimit të mandatit të tij të parë dhe sidomos të fillimit të mandatit të tij të dytë, filloi të ngufat proceset demokratike në Kuvend, duke shkyqur mikrofonin për deputetët, duke mos lejuar shfaqje të lirë të mendimit, duke rënë në konflikt të drejtpërdrejtë dhe shpeshherë të panevojshëm me opozitën, si dhe po ashtu duke rënë në konflikt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Këtë e dëshmojnë më së miri sidomos dy raportet e fuindit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar, Kofi Anan. Kryeparlamentari Daci, për të cilin vazhdoj të kem konsideratë, filloi të paraqitej, siç tha një mik imi, si Zeus i cili di çdo gjë. Kulmi i veprimeve të tij si anëtar i Grupit Negociator u arrit me konfrontimet e kohëpaskohshme me kryetarin Rugova, me kryeadministratorin Petersen dhe me disa nga përfaqësuesit e shteteve mike të vendosur në Kosovë, duke e quajtur madje përfaqësuesin e SHBA-ve vetëm si qytetar i thjeshtë i shtetit të tij dhe vazhdoi të mos përfillë kërkesat e partive politike, madje edhe të vetë partisë së tij, LDK-së, për thirrjen e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në të cilën do të duhej të zgjidhej kryetari i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, përkundër faktit se duke pritur një vendim të tillë Këshilli i Suigurimit i Kombeve të Bashkuara e kishte shtyrë mbledhjen e vet për një javë më vonë. Ishte skandalozë deklarata e tij se informatën për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës do t’ia dërgojmë KS të KB-së përmes faksit ndonjë ditë tjetër, që nënkupton injorimin e bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, qëndrimi i mëtejmë i zotit Daci në pozitën e kryeparlamentarit të Kosovës ishte i pamundur dhe ndodhi ajo që ndodhi. Pra zoti Daci nuk u shkarkua për shkak të etjeve karrieriste të Kolë Berishës, por për shkak se filloi të paraqitet pengesë e madhe e proceseve demokratike dhe e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare. Unë jam vetëm një lloj viktime në tërë këtë proces. Viktimë e presionit të Kryesisë sime për ta pranuar këtë post, të cilin pesë vjet më parë e kisha refuzuar dhe as që ëndërroja që ta pranoja në këto momente. Kjo është e tëra që mund të thuhet rreth aferës së krijuar në ndryshimet që ndodhën pas vdekjes së kryetarit Rugova”.

Dy nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu e Kolë Berisha, u takuan dje edhe me Kryesinë e LDK-së për Nju-Jork.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kolë Berisha, me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, takohet sot me të deleguarin amerikan në procesin e negociatave për Kosovën, Frenk Uizner.