Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua në Nju-Jork me ambasadorin amerikan Fren Uizner
, 17.05.2006
Nju-Jork, 17 maj
Gjatë vizitës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me bashkëpunëtorë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai, dje, u takua në Nju-Jork me ambasadorin amerikan Frenk Uizner, i dërguar i posaçëm amerikan në procesin negociator për Kosovën.
Në drekën e punës, të organizuar nga ambasadori Uizner, drekë kjo që zgjati mbi dy orë, kryeparlamentari Berisha e informoi ambasadorin Uizner për zhvillimet e deritanishme të negociatave në Vjenë, për angazhimin konstruktiv dhe për ofertën e palës kosovare në këto negociata, si dhe për zhvillimin e mëtjemë të negociatave të ndërmjetësuara nga Marti Ahtisari. Kryeparlamentari Berisha shprehu mendimin se këto negociata nuk mund të jenë pa fund dhe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së sa më shpejt që të jetë e mundur, me rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duhet të kurorëzojë me sukses punën e madhe të ekipit të zotit Ahtisari dhe të delegacionit të Kosovës. Në këtë proces, roli i shtetit amerikan është parësor dhe kryeparlamentari Berisha tha se në këtë aspekt Kosova pret mbështetjen e mëtejme dhe të plotë nga Qeveria amerikane.
Ambasadori Frenk Uizner, duke folur për zhvillimet e deritanishme të negociatave dhe perspektivën e tyre, u fokusua në tri çështje.
Konstruktiviteti i palës kosovare në negociatat e Vjenës, i demonstruar deri më tash, duhet të vazhdojë deri në fund, tha ai. Oferta e palës kosovare në këto negociata, e cila duhet të përmbajë fleksibilitet racional dhe të dobishëm, do të bëjë të mundur që zoti Ahtisari të ndërtojë qëndrimin e tij si dhe ndikimin sa më të madh te pala tjetër. Ju keni negociuar në mënyrë mjaft konstruktive, ju mbështes dhe këtë mbështetje do ta keni edhe më tej. Ju rekomandoj që oferta juaj të jetë sa më e plotë dhe sa më konstruktive, tha zoti Uizner. Ofroni propozime më të pranueshme, jo me gradacione. Lidhjet mes komunave duhet të bëhen me qëllim të komunikimeve sa më të mira kulturore, arsimore, e të tjera, ndërmjet tyre. Këto lidhje dhe ky komunikim duhet të shikohen me fleksibilitet, porositi ai. Oferta juaj lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze duhet të jetë vërtetë serioze dhe e plotë. Gjithë këtë proces duhet ta përcjell fleksibiliteti dhe përgjegjësia, tha Uizner.
Dimensioni i dytë është çështja psikologjike dhe politike në procesin e negociatave. Strukturat udhëheqëse të Kosovës: presidenti, kryeministri dhe ministrat, duhet të ndërmarrin hapa të mëtejmë që tregojnë se po shtrihet dora e ringjalljes së jetës së përbashkët ndërmjet të të gjitha komuniteteve. Le të ndihmohet më tej liria e lëvizjes së serbëve. Çështja kryesore është që të krijohet një atmosferë e re, një imazh i ri, që duhet t’i ofrohet botës, atmosferë e demokracisë dhe e përtëritjes së lirive të minoritarëve. Dimensioni i tretë i angazhimit tuaj duhet të jetë vazhdimi i punës në përmbushjen e standardeve. Çështja e rindërtimit të raporteve ndërmjet komuniteteve është çështje edhe e miratimit të ligjeve dhe zbatimi i tyre sidomos në fushat e përdorimit të gjuhëve, të lirive fetare, por edhe me funksionim shumë më të mirë të Qeverisë.
Zoti Uizner tha se askush nuk mund t’i kryej punët tuaja, por punën e mirë që po e bëni dhe që duhet ta bëni, ne do ta plasojmë për të ndërtuar opinionet përkrahëse për të realizuar synimet tuaja.
Në takimin Uizner-Berisha u shtrua edhe çështja e të pagjeturve dhe personave të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë. Me këtë rast u tha se zbardhja e fatit të të pagjeturve do të relaksonte raportet dhe do të lehtësonte e përshpejtonte procesin e kthimit dhe të riintegrimit të serbëve të zhvendosur. Ky proces, aq sa është i ndërlikuar, është me dobi të negociohet dhe të zgjidhet paralelisht me negociatat për definimin e statusit.
Po gjatë ditës së djeshme, kryeparlamentari Berisha me bashkëpunëtorë u takua në Nju-Jork edhe me udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të kryesuar nga Riçard Llukaj, kryetar. Në këtë takim u theksua nevoja e koordinimit të veprimeve për të punuar më me ngulm në njohjen e pavarësisë së Kosovës.