Lajmet e fundit
Vizitë e frytshme e Komisionit Parlamentar, në krye me Naim Malokun në Slloveni
, 17.05.2006
Një delegacion i Komisionit për Gatishmëri Emergjente i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i këtij komisioni dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, u kthye sot nga një vizitë treditëshe mjaft të frytshme në Slloveni. Delegacioni Parlamentar nga Kosova kishte një agjendë të ngjeshur gjatë kësaj vizite, duke zhvilluar takime të rëndësishme me udhëheqës të institucioneve të larta sllovene. Ky delegacion kishte takim me Këshillin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Sllovenisë, të kryesuar nga Jozhef Jerovshek, kryetar i këtij këshilli, me sekretarin shtetëror pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme , Zvonko Zinraj, me ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, Karlo Erjavec, biseda me përfaqësues të Ushtrisë së Sllovenisë dhe të Shërbimit Informativ dhe të Sigurisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes, me sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit të Sllovenisë, Lovro Lonqar, me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për mbikëqyrjen e shërbimeve të informimit dhe të sigurisë, si dhe me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Sllovenisë për Informim dhe Sigurim, mr. Janez Zhirovnik.
Tema qendrore të këtyre takimeve ishin thellimi i bashkëpunimit ndërmjet parlamentarëve të Kosovës dhe Sllovenisë, posaçërisht në marrjen e përvojave sllovene nga lëmi i kontrollit parlamentar në shërbimet sekrete.