Lajmet e fundit

Dita e tretë e vizitës së kryeparlamentarit të Kosovës, Kolë Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

, 18.05.2006




Uashington, 17 maj

Dita e tretë e vizitës zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me bashkëpunëtorë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte me agjendë shumë të ngjeshur të takimeve që u zhvilluan në Uashington.

Kryeparlamentari Berisha u prit ditën e mërkurë në State Departmentin Amerikan nga zëvendësasistentja e sekretares në Departamentin e Shtetit për çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Rozmari Di Karlo, pastaj u takua me Bertram Braunin, drejtor për Evropën Juglindore në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare, me zonjën Laurie Dundon, shefe e Zyrës së zonjës Medlin Ollbrajt, me zotin Xhejms O’Brajen po nga Zyra e zonjës Ollbrajt, ndërsa në orët e pasditës ai mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Departamenti i Shtetit, moderator i të cilës ishte Çarlls English, drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore, e në të cilën morën pjesë dhe shtruan pyetje për delegacionin e Kosovës 10 përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të Departmentit të Shtetit.

Në takimin me zonjën Di Karlo, kryeparlamentari Berisha e informoi atë për gjendjen aktuale në Kosovë, për procesin e negociatave të Vjenës, për ndryshimet që janë bërë në institucionet e Kosovës, për hapjen demokratike të Kuvendit të Kosovës, por vëmendje e posaçme në bisedë iu kushtua edhe Kosovës së pas statusit, prandaj kryeparlamentari Berisha kërkoi prani ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, sidomos amerikane, edhe pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha e falënderoi zonjën Di Karlo për të gjitha ato që ka bërë e që po bën Qeveria Amerikane për Kosovën dhe e siguroi atë se Kosova e pavarur do të jetë faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.

Zonja Di Karlo, pasi tha se është e njoftuar mirë me situatën në Kosovë, porositi që e ardhmja e Kosovës është në duart e kosovarëve. Jemi të kënaqur me punën e Ekipit Negociator të Kosovës dhe ju duhet të vazhdoni negociatat, tha ajo, me përkushtimin dhe me seriozitetin e treguar deri më tash. Duhet ta inkurajoni më tej kthimin e serbëve në institucione. Është test shumë i rëndësishëm për kosovarët sundimi i ligjit dhe kthimi i pronave të uzurpuara të të zhvendosurve nga Kosova dhe këtu mund të luajë rol shumë të madh edhe Parlamenti i Kosovës. Amerika, tha zonja Di Karlo, do të jetë e pranishme në Kosovë dhe në rajon edhe pas definimit të statusit të Kosovës. Në Kosovë do të ketë prani ushtarake e civile ndërkombëtare, tha ajo.

Zonja Di Karlo në fund u interesua edhe për ligjet që do të miratojë Kuvendi i Kosovës në periudhën e ardhshme.

Edhe në takimin që pati me Bertram Braunin, drejtor për Evropën Juglindore në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, foli për të arriturat e deritashme në procesin e negociatave për statusin final të Kosovës dhe paraqiti një pasqyrë të tërësishme të situatës aktuale në Kosovë, edhe si anëtar i Grupit Negociator të Kosovës, edhe si kryetar i Kuvendit të Kosovës, por edhe si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bertram Braun, gjatë takimit, u interesua sidomos për çështjen e minoriteteve në Kosovë dhe për çështjen e funksionimit të ligjit atje. Ai veçoi çështjen e sigurisë në Kosovë dhe mundësinë e lëvizjes së lirë të të gjithëve, sidomos të pjesëtarëve të minoriteteve. Tha se kthimi i pronave të serbëve të zhvendosur është shumë i rëndësishëm, tha se decentralizimi do të duhej të nënkuptonte aplikimin e modelit funksional për minoritetet dhe në fund kërkoi zbatimin e ligjit kundër korrupsionit dhe elementeve devijante në shoqërinë kosovare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, përmes zonjës Laurie Dundon, shefe e Zyrës, i përcolli zonjës Medlin Ollbrajt, ish-sekretare amerikane e Shtetit, përshëndetjet e tij dhe të popullit të Kosovës.

Zonja Ollbrajt mbetet përgjithmonë në historinë e Kosovës mikja më e madhe e popullit të saj, personalitet historik i cili bashkë me presidentin Klinton dhe me gjeneralin Klark bëri që të ndërrojë historia e një vendi dhe një populli të diskriminuar me shekuj.

Në Zyrën e zonjës Ollbrajt, e cila ndodhej jashtë shtetit për të promovuar librin e saj më të ri, u realizua edhe një takim i shkurtër i kryeparlamentarit Berisha me zotin Xhejms O’Brajen, ish-këshilltar i presidentit Klinton dhe sekretares Ollbrajt.

Kryeparlamentari Berisha u pyet për ligjet që duhet të aprovojë Kuvendi i Kosovës e që lidhen me standardet, u pyet për procesin e decentralizimit në Kosovë dhe pati interesime se cilat do të jenë prioritetet e Kosovës pas zgjidhjes së statusit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, pas qëndrimit në Uashington, ku do të ketë takime në Kongresin e në Senatin Amerikan, do të vizitojë edhe komunitetin shqiptar në Detrioit.