Lajmet e fundit
Vizita e kryeparlamentarit Berisha në SHBA
, 19.05.2006
Ditën e katërt të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ,në Uashington, kryeparlamentari Kolë Berisha është takuar me kongresistin Eliot Engel, Ambasadorin Morton Abramoviq, si dhe është pritur në Institutin Nacional Demokratik Amerikan(NDI).
Në takimin me kongresistin Eliot Engëll, kryeparlamentari Berisha e informoi atë për zhvillimet më të reja në Kosovë, në frymë të negociatave për statusin final të Kosovës dhe për punën e Kuvendit të Kosovës të këtyre dy muajve të fundit. Kryetari Kolë Berisha u informua nga zoti Engëll për aktivitetet e tij më të fundit lidhur me zhvillimet rreth definimit të statusit të Kosovës.
Kryeparlamentari Berisha e falënderoi zotin Engëll për 18 vjetët e angazhimit të tij për pavarësinë e Kosovës dhe tha se shqiptarët e Kosovës e çmojnë zotin Engëll si mik të madh të presidentit të ndjerë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Në takimin me ambasadorin Morton Abramoviq, u shkëmbyen vlerësime për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës dhe për zhvillimet në rajon. Bashkëbiseduesit u dakorduan se vazhdimi i negociatave të Vjenës, garanacioni i Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bindja e faktorit ndërkombëtar për jetësimin e këtyre garancive, janë faktorët që e përshpejtojnë definimin e statusit të Kosovës.
Edhe në Institutin Nacional Demokratik Amerikan u organizua një pritje për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, nga drejtori rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benxhamin, dhe nga Katerin Mesina-Pajiq, zëvendësdrejtore rajonale për Evropë Qendrore dhe Lindore.
Në këtë takim u konfirmuan mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Parlamentit të Kosovës dhe NDI-së. Ky bashkëpunim ka të bëjë me mbështetjen e NDI-së për Parlamentin e Kosovës në fushat e aftësimit të deputetëve për ngritjen e kapaciteteve, të efikasitetit dhe të cilësisë së punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa segmente të reformimit të procesit të nxjerrjes së ligjeve dhe të akteve të tjera. Pas këtyre takimeve në Uashington,kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, udhëtoi për në Detroit të Miçigenit, ku do të ketë takim me komunitetin e atjeshëm shqiptar.