Lajmet e fundit

Nga vizita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

, 20.05.2006




Detroit, 19 maj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, gjatë vizitës zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të premten qëndroi në Detroit të Miçigenit.

Në takimin që u mbajt me komunitetin e këtushëm shqiptar, në të cilin morën pjesë afër 250 veta, kryeparlamentari Berisha i informoi të pranishmit për qëllimin e vizitës së tij në SHBA dhe për takimet zyrtare që pati në Nju-Jork e në Uashington. Në takim morën pjesë edhe arqipeshkvi i Tivarit, aktualisht administrator i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Zef Gashi, pastaj don Anton Kqira, famullitar i kishës “Shën Pali” të Detroitit, imami Shuib Gërguri nga Qendra Islame e Detroitit dhe Don Lush Gjergji.

Kryeparlamentari Berisha i informoi të pranishmit për situatën aktuale nëpër të cilën po kalon Kosova gjatë kësaj faze të negociatave për zgjidhjen e statusit final, u foli atyre për punën e Kuvendit të Kosovës dhe për intencën që Kosova të kompletojë sa më shpejte infrastrukturën e ligjeve sepse ka shumë nevojë për to. Disa pyetje i adresoheshin z. Berisha edhe ne cilësinë e nënkryetarit te LDK-se lidhur me gjendjen ne këtë parti.

Bashkëkombësit tanë në Detroit të Miçigenit i pritën shumë mirë shpjegimet që dha kryeparlamentari Berisha rreth situatës së përgjithshme në Kosovë dhe thanë se kanë nevojë për vizita më të shpeshta të bartësve kryesorë të pushtetit në Kosovë. Kryeparlamentari Berisha i falënderoi ata për ndihmat që kanë dhënë e që po japin për Kosovën dhe u tha atyre se pa ta, por edhe pa vëllezërit e motrat e shpërndarë edhe nëpër shtete të Evropës, liria në Kosovë do të vinte shumë më vonë dhe do të kushtonte shumë më shtrenjtë.

Bashkëkombësit dhe bashkatdhetarët shtruan pyetje nga më të ndryshmet: a janë Amerika dhe Evropa në të njëjtat gjatësi valore sa i përket Kosovës, cili do të jetë fati i negociatave për statusin e Kosovës, cili do të jetë fati i Mitrovicës për të cilën propozohet ndarje në dy komuna, ndryshimet e fundit ne Kuvend dhe ne Qeveri , deri kur do të kërkohet plotësimi i standardeve nga shqiptarët e Kosovës, cili do të jetë fati i Malit të Zi pas referendumit, sa janë reale kritikat që vijnë nga opozita për korrupsion në Qeverinë e Kosovës, a do të bëhet TMK-ja ushtri e Kosovës, çka mund të bëjnë shqiptarët e Amerikës për Kosovën sot e nesër, si vlerësohet në Kosovë kontributi i Shqipërisë në zgjidhjen e statusit të Kosovës, cila do të jetë Kosova pesë vjet pas zgjidhjes së statusit, e të tjera. Kryeparlamentari Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij kane dhënë përgjigjet e tyre ne te gjitha këto pyetje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me ketë qëndrim në Detroit të Miçigenit, përfundon vizitën e tij disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.