Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Saksonisë së Ulët
, 23.05.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti një delegacion të Parlamentit të Landit të Saksonisë së Ulët nga Gjermania. Delegacioni kryesohej nga Jyrgen Gansauer, kryetar, ndërsa merrnin pjesë edhe përfaqësues nga disa institucione kryesore, si dhe nga Akademia dhe Universiteti i këtij landi.
Kryeparlamentari Berisha njoftoi delegacionin nga Saksonia me punën dhe rezultatet në Parlamentin e Kosovës, përpjekjet aktuale për avancim të punës dhe reformës së praktikës parlamentare . Kryeparlamentari Berisha shprehu besimin se edhe deputetët serbë shpejt do ta kuptojnë se është rrugë e gabuar tërheqja nga Parlamenti, i cili është vendi më i mirë për debat dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve.
Delegacioni i Parlamentit nga Saksonia e Ulët paraqiti një pjesë të përvojave të tyre në punën e përditshme në Parlament. Në këtë frymë u këmbyen mendime dhe u arrit pajtimi për të vazhduar bashkëpunimin ndërparlamentar . Me këtë rast kryeparlamentari Berisha u ftua për të bërë një vizitë në Parlamentin e Saksonisë së Ulët.