Lajmet e fundit

Nga konferenca për shtyp lidhur me fillimin e Projektit për Mbështetje të Kuvendit të Kosovës

, 23.05.2006




Paneli në përbërje: Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Odran HAYES, udhëheqës i Agjencionit Evropian për Rindërtim (AER) dhe Jacques Roger-Mschart, ish- nënkryetar i Asamblesë Nacionale të Francës, kanë prezantuar sot para gazetarëve Projektin për Mbështetjen e Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga Konsorciumi i përbërë nga katër parlamente: Asambleja Nacionale (Francë), Bundestagu Gjerman, Dhoma e Përfaqësuesve Belgë, Kuvendi Kombëtar Slloven dhe nga Instituti prestigjioz Francez - Institute Internacional de Paris La Defénce, kurse financohet nga Agjencioni Evropian për Rindërtim (AER).

Duke i falënderuar përfaqësuesit e Konzorciumit të parlamenteve dhe të Agjencionit Evropian për Rindërtim, kryeparlamentari Berisha përshëndeti faktin se me këtë projekt Kuvendi i Kosovës, gjatë dy viteve të ardhshme, do të ketë për partnerë katër parlamente evropiane me traditë demokratike, që do të ndihmojnë për realizimin e reformave të filluara: ” Ndihma e këtyre katër parlamenteve për Parlamentin e Kosovës do të jetë me efekt të jashtëzakonshëm dhe në funksion të përmbushjes së standardeve në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në BE”, ka thënë kreu i legjislativit të vendit.

Për udhëheqësin e Agjencionit Evropian për Rindërtim (AER), Odran Hayes, ky projekt është në një vijë me programin e UE-së për Qeverisje të Mirë dhe Ndërtim të Institucioneve, i cili ka për qëllim të ngritë kapacitetet e IPVQ-ve, që në mënyrë më efikase t’i zbatojnë rolet e tyre qeverisëse dhe fuqizimin e sundimit ligjor, gjithë kjo në një harmoni me prioritetet që dalin nga Partneriteti Evropian dhe nga qasjet në praktikat më të mira të UE-së. Ai ka pohuar se projekti financohet me një milion euro, kurse bashkëpunimi i mirë do të kurorëzohet me prezantimin më të mirë të Kuvendit të Kosovës. Kjo do të jetë shenjë e mirë edhe për integrimet evropiane që synon Kosova në të ardhmen, ka thënë Hayes.

Jacques Roger Machart, udhëheqës i projektit, ish -kryetar në Asamblenë Nacionale Franceze, ka theksuar se: “Projekti nuk synon të “eksportojë” ndonjë model parlamentar, apo të “mësojë” apo “monitorojë”. Propozohen referenca se çfarë pune kryhet në Parlamentet, të cilat përbëjnë Konsorciumin, në mënyrë që të kemi shkëmbim të përvojave demokratike.

Në mbështetje të kësaj është themeluar një “Këshill Drejtues” i cili do të monitorojë zbatimin e Projektit për dy vitet e ardhshme. Ky Këshill është i kryesuar nga Kryetari i Kuvendit dhe është i përbërë nga: anëtarë të Kryesisë, nga Sekretaria, Zyra e UE-së, AER-i, përfaqësuesit nga katër parlamentet dhe OSBE-ja (Nisma për Mbështetje Kuvendit).

Në mbledhjen e parë të këtij Këshilli Drejtues, mbajtur të hënën, me 22 maj është përvijuar puna që parashihet të kryhet gjatë muajve që vijnë: Parlamenti Slloven do të mbështesë sidomos Komisionin për Buxhet dhe Njësinë shkencore të bibliotekës, si dhe atë për studim të dokumentacionit; Dhoma e Përfaqësuesve Belgë do të punojë në çështjen e trajtimit të personelit dhe të marrëdhënieve me mediat dhe publikun; Bundestagu Gjerman, ndërkaq, do të bartë përvojën e tij për funksionimin e grupeve parlamentare, mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe për qasjen publike në Kuvend.

Nga bashkëbisedimi me gazetarë ka dalë se Projekti do të zgjatë për dy vjet dhe ka për qëllim që ta ndihmojë Kuvendin e Kosovës drejt standardeve dhe praktikave demokratike të parlamenteve të vendeve anëtare të UE-së. Ky projekt do të mbështes po ashtu edhe procesin e përafrimit të legjislacionit të Kosovës me atë të Evropës. Në takim është thënë, ndërkaq, se synim i Konsorciumit është që të krijojë një partneritet në ndërmjet katër parlamenteve anëtare dhe Kuvendit të Kosovës.

Nga konferenca për shtyp lidhur me fillimin e Projektit për Mbështetje të Kuvendit të Kosovës