Lajmet e fundit

Berisha e priti edhe ambasadorin e Republikës Çeke në Beograd, Ivan Jestrab

, 24.05.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kole Berisha, priti ambasadorin e Republikës Çeke ne Beograd ,Ivan Jestrab, i cili shoqërohej nga sekretarja e ambasadës, Alena Obrusnikova.

Fillimisht Kryetari i Kuvendit e ka njoftuar diplomatin çek për zhvillimet kryesore në Kuvendin e Kosovës si dhe planet për punë të mëtejme ne aspektin e realizimit te reformave, por edhe për vështirësitë me të cilat ende përballen deputetët, për shkak të mangësive të caktuara logjistike e teknike, si mungesa e zyrave, e asistencës së domosdoshme për punën e tyre të rëndësishme, etj. Kryeparalamentari Berisha shfaqi keqardhje për vazhdimin e bojkotit të mbledhjeve të Kuvendit nga deputetët serbë dhe shpjegoi përparësitë që kanë ata nëse kthehen në Parlament.

Kryetari i Kuvendit paraqiti një pasqyrë edhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, duke u përqendruar në ofertën konstruktive të Kosovës për decentralizimin dhe negociatat.

Diplomati çek, Jastreb, shfaqi interesimin për atë se si do të jetë Kosova në të ardhmen sepse, siç tha ai, ju konsiderojmë si vend fqinje dhe veç kësaj, ka shumë kosovarë që jetojnë e punojnë ne Republikën Çeke. Z. Jestrab transmetoi gatishmërinë dhe interesimin e disa kompanive të këtij vendi për investime në Kosovë, (veçanërisht Kompania Çeke e Energjetikës) dhe njoftoi vendimin e qeverisë së vendit të tij për hapjen e Zyrës së Republikës Çeke në Prishtinë, që pritet të realizohet së shpejti. Zyra do të hapet e përbashkët me Sllovakinë, ka sqaruar ai.

Lidhur me statusin e Kosovës , z.Ivan Jestrab tha se Republika Çeke është në të njëjtën linjë dhe ka të njëjtat pikëpamje që ka BE-ja . Vendi ynë, tha ai, përkrah fuqimisht tri jo-të e Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha përsëriti qëndrimin se Kosova e nesërme, e pavarur, me ulëse në OKB, do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë, do të jetë shtet sekular, ku askush nuk ka pse të frikësohet nga fundamentalizmi apo konfliktet fetare, sepse, konflikte të kësaj natyre asnjëherë nuk ka pasur në Kosovë. Berisha, duke shprehur skepticizmin për gatishmërinë e palës serbe për kooperim, për sa i përket statusit të vendit, vuri në dukje se Kosova nuk duhet të mbetet peng i obstruksioneve të Serbisë. Bashkësia Ndërkombëtare ka një mjet që duhet ta përdor në këtë rast, e ajo është njohja e Kosovës, tha Kryeparlamentari Berisha. Në Kosovën e pavarur, tha ai, do të vazhdojë të ketë një prani ushtarake ndërkombëtare dhe një prani civile të reduktuar ndërkombëtare . Në këtë takim u shtrua ideja e binjakëzimit të Parlamentit të Kosovës me Parlamentin e Republikës Çeke.

Me këtë rast kryeparlamentari Berisha është ftuar për vizitë në Parlamentin e Republikës së Çekisë

Berisha e priti edhe ambasadorin e Republikës Çeke në Beograd, Ivan Jestrab