Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion nga Parlamenti i Estonisë
, 24.05.2006
Një delegacion i Parlamentit të Estonisë, në kuadër të cilit kishte edhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi ka qëndruar për vizitë në Parlamentin e Kosovës. Delegacioni kryesohej nga Toivo Tootsen, drejtues i Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare në Parlamentin e Estonisë . Në këtë delegacion ishin edhe deputetët Trivimi Velliste, Mati Keep,Margus Hanson, si dhe zyrtarët nga Ministria e Mbrojtjes e Estonisë, Aivar Engel, Madis Mikko, Mart Piskop, Andres Reker e Rein Sikk.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, paraqiti një pasqyrë të aktiviteteve në Kuvendin e Kosovës përkitazi me rolin e Kuvendit, proceset aktuale në Kosovë, si dhe për strukturën dhe praktikat e punës në Parlament. Kryeaparlamentari Berisha njoftoi për aktivitetet legjislative të Parlamentit dhe veçanërisht ato lidhur me plotësimin e standardeve, si dhe me përpjekjet që po bëhen për të bindur serbët e Kosovës se kthimi në Kuvend është interesi iu tyre real dhe kurrsesi bojkoti. Në këtë kontekst z. Berisha theksoi se në Kosovën e pavarur, e cila do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë, komuniteti serb do të jetojë më mirë se në Serbi. Serbët dhe të gjitha komunitetet minoritare do të kenë të garantuara të gjitha liritë dhe të drejtat, si në të gjitha vendet demokratike.
Kryesuesi i delegacionit parlamentar nga Estonia, Tootsen përshëndeti proceset dhe shprehu besimin se negociatat do të përfundojnë me zgjidhjen e suksesshme dhe sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Ai ka përcjell gatishmërinë e Estonisë për t’i ofruar ndihmesë e bashkëpunim Kosovës, veçanërisht në aspektin e përgatitjeve për integrime drejt BE-së, për shkak të përvojave të freskëta që ka ky vend i ri, anëtar i BE-së.
Me këtë rast, kryetarit të Kuvendit i është bërë ftesë për vizitë në Parlamentin e Estonisë.